Friday, November 24, 2017
YIHR

Arsyet e shënimit të 24 Marsit

978 March 24, 2016

Në prag të shtatëmbëdhjetë vjetorit të përfundimit të luftës ’98-‘99, shoqëria kosovare ende përballet me dilemën rreth ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë asaj lufte. Në mungesë të ballafaqimit me të kaluarën marrëdhëniet në rajon janë ende të tendosura, duke mos bashkëpunuar qoftë në aspektin politik apo ekonomik.

24 Marsi, shënon Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Vërtetën lidhur me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe për dinjitetin e viktimave. Në Kosovë kjo ditë kryesisht përmendet vetëm për fillimin e bombardimeve të NATO-s.

Në askpektin e ndjekjes penale të kryerësve të krimeve, përpjekje të mëdha janë bërë gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të fundit për të arritur llogaridhënie për krimet serioze që dërguan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Megjithatë, këto përpjekje ishin të kufizuara kryesisht në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit në gjykatat vendore dhe ndërkombëtare. Në shumë raste, dëshmitë e dhëna nga viktimat dhe familjarët e tyre, mbesin brenda katër mureve të gjykatës duke mos arritur publikun e gjërë, të cilët do të dëgjonin histori lufte, dhe potencialisht do të rriste empatinë ndaj viktimave të luftës, pa dallim etnie. Duhet ditur që viktimat në gjykatë nuk kanë hapësirë për të rrëfyer gjithcka që ju ka ndodhur por ftohen për t’u përgjigjur në pyetjet para gjykatës.
Si pasojë, këto histori nuk arrijnë publikun e gjërë dhe duke i kontribuar edhe dështimi i sistemit të edukimit që narrativa të bazuar në fakte të futen në kurrikula shkollore, ‘të vërteta’ të ndryshme janë shfaqur në secilin shtet të dalur nga shpërbërja e Jugosllavisë. Në këto narrativa tema e të qenit viktimë e njërit grup etnik theksohet, kurse krimet e kryera nga anëtarët e saj mohohen apo justifikohen. Edhe në këtë, fatkeqësisht, Kosova nuk përbën përjashtim. Sot, tekstet shkollore nuk ofrojnë informata shterruese për ngjarjet që kanë ndodhur vetëm 17 vite më parë. Gjuha heroizuese e njërës palë është tejet e theksuar kurse ofrojnë informata të gabuara dhe të pa bazuara në fakte për viktimat civile të luftës qoftë edhe të komunitetit shumicë. Të rinjtë Kosovar nuk mësojnë për viktimat civile të luftës nga komunitetet jo-shqiptare, nuk mësojnë që pjesëtarët e komunitetit rom kanë qenë viktima edhe të palës shqiptare edhe të palës serbe, kurse për viktimat shqiptare dhe serbe mësojnë në stilin 100% kriminelë dhe 100% viktimë. Në shtetet etnocentrike të cilat janë formuar pas prishjes së Jugosllavisë, romët janë vetëm një pakicë zëri i të cilëve nuk arrinë publikun. Një qasje e tillë nuk i kontribuon procesit të pajtimit dhe e zgjeron ndarjen në mes gjeneratave të reja, cka mund të dërgoj në përsëritje të krimeve.
Këtu, më duhet të theksoj se përveç shoqërisë civile në Kosovë, pak është bërë nga Qeveria e Kosovës. Kur them pak është bërë, flas në aspektin përmbajtësor dhe jo në aspektin formal. Ndonëse ka pasur nisma nga institucionet për të përkujtuar viktimat e luftës, ato kanë qënë të një anshme, përkundër faktit që institucionet duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, padallim etnie, race, feje etj. Përfaqësuesit institucional përdorin shifra të pambështetura në fakte sidomos për personat e dhunuar seksualshit gjatë luftës.

Shoqëria kosovare shënon 24 Marsin si ditën e bombardimeve të NATOs. Padyshim, që kjo fushatë bombardimi për 78 ditë ishte shpresa me e madhe për shqiptarët e Kosovës që tmerrit dhe terrorit do t’i vie fundi, cka edhe ndodhi. Me konsolidimin e institucioneve të Kosovës, përgjegjesia për përkujdesje ndaj viktimave civile të luftës padyshim që bie mbi supet e institucioneve kosovare. Më duhet të përmendi që “ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre” nuk është gjithëpërfshirës dhe përjashton një kategori të viktimave civile. Definicioni i viktimave civile të luftës, njeh si të tilla vetëm personat e vrarë apo plagosur, nga “forcat e armikut…” dhe meqë për institucionet e Kosovës, NATO nuk përbën “forcë armike”, kjo kategoria e viktimave nga bombardimet/predhat e NATOs ngelen jashtë ligjit. Si pasojë, të drejtat e këtyre viktimave për të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblim janë penguar seriozisht.

24 Marsi duhet të jetë ditë e reflektimit të institucioneve kosovare që të krijojnë mekanizma të ballafaqimit me të kaluarën, edukimin e gjeneratave të reja, duke nxitur mendimin kritik dhe duke ofruar gjithëpërfshirje për qytetarët e Republikës së Kosovës, si rrugë dhe shpresë e vetme për një paqe të qëndrueshme.

 

Teuta Hoxha

Ushtruese e detyrës së drejtorishës ekzekutive të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e
Njeriut (YIHR KS),
Artikulli është shkruar në cilësinë e anëtares së Koalicionit Të drejta të Barabarta për të Gjithë (ERAC)

ERAC disclaimer

Like this Article? Share it!