Sunday, January 21, 2018
YIHR

Gjuha diskriminuese në tekstet shkollore – Analizë e teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë

December 12, 2017
coveri_raporti

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR-KS) në kuadër të edicionit të katërt të Javës për Të Drejtat e Njeriut, ka publikuar raportin e titulluar “Gjuha diskriminuese në tekstet shkollore”.

Ky raport është rezultat i një pune të vazhdueshme disa mujore, ku janë analizuar tekstet shkollore me qëllim të paraqitjes së gjuhës diskriminuese dhe ofrimit të rekomandimeve konkrete për masat e mëtutjeshme të cilat duhen ndërmarrë për adresimin e këtij problemi.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të biologjisë, edukatës qytetare, historisë, psikologjisë dhe sociologjisë të klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

Ramadan Sokoli, menaxher i projektit në YIHR KS gjatë prezantimit të të gjeturave nga hulumtimi tha se në tekstet shkollore të analizuara, janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

“Kategorizimi i gjetjeve sipas bazës së diskriminimit apo përjashtimit tregon se më së shpeshti tekstet shkollore përmbajnë gjuhë diskriminuese në bazë të gjinisë, etnisë, orientimit seksual dhe identitetit gjinor, si dhe përjashtimit social. Gjithashtu nuk mungon as gjuha diskriminuese në bazë të aftësive të kufizuara, statusit ekonomik-shoqëror si dhe përdorimi i gjuhës së dhunshme. Asnjë nga tekstet shkollore të shqyrtuara nuk është i liruar nga gjuha diskriminuese” ka potencuar Sokoli.

Vjollca Krasniqi, sociologe nga Universiteti i Prishtinës ka thënë se ky hulumtim është një ndër të parët që e vendosin pyetjen se a implementohen të drejtat e njeriut brenda teksteve shkollore.

“Ky hulumtim dokumenton aspektet në të cilat ka probleme nëpër këto tekste shkollore. Tekstet shkollore vuajnë nga njëanshmëria, përjashtimi etnik, e nganjëherë gjuha e urrejtjes. Stigmatizohen familjet e varfra, e varfëria shikohet si sëmundje, ka ofendime ndaj personave me nevoja të veçanta”, ka theksuar Krasniqi.

yihr_ks_publications

Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se janë të vetëdijshëm që janë një numër i madh i librave që përmbajnë fjalë e fjali diskriminuese, e që kanë nevojë për përmirësim.

“Kemi kurrikulë të re, e jo tekste shkollore të reja. Nuk kemi risi në tekste që do të përcillnin kurrikulën. Në momentin që do të jemi të gatshëm, shpresoj vitin e ardhshëm, librat mos t’i kenë këto gabime”, ka potencuar Bytyqi.

 

Raporti është punuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja e të rinjve për edukim gjithëpërfshirës dhe të drejta të njeriut” në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC. 

Raportin mund ta shkarkoni këtu.

 


Download