Friday, September 22, 2017
YIHR

Pasqyrë mbi Punën e Institucionit të Avokatit të Popullit

June 13, 2013
An Insight Into the Work of the Ombudsperson Institution

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) në bashkëpunim me Zyrën e Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) publikoi raportin “Pasqyrë mbi Punën e Institucionit të Avokatit të Popullit” gjatë një konference në Prishtinë.

Ky raport përpiqet të ofroj një pasqyrë lidhur me punën e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) në Kosovë duke shqyrtuar Raportin Vjetor të vitit 2011, organizimin e brendshëm, si dhe punën më palët/ankuesit që i drejtohen IAP-it në zyrën qendrore ose ato rajonale. Raporti në përfundim thekson rolin kryesor dhe të rëndësishëm të IAP-it për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, pasi që është i vetmi Institucion i pavarur me këtë mandat. Megjithatë, raporti gjithashtu ofron disa rekomandime në mënyrë që IAP-i të promovojë mandatin e tij, të ngrit transparencën dhe efikasitetin.

Konferenca u hapë nga znj. Raba Gjoshi – Drejtoreshë Ekzekutive e YIHR KS-së, duke cekur vazhdimësinë e punës së organizatës në fushën e të drejtave të njeriut. Ndërsa të gjeturat e raportit u prezantuan nga znj. Natyra Avdiu – Koordinatore e Projektit për të Drejtat e Njeriut në YIHR KS. Panelistë në këtë konferencë ishin: z. Sami Kuteshi – Avokat i Popullit dhe z. Joël Mermet – Shef i Zyrës së OHCHR-së në Kosovë.

Avokati i Popullit, z. Kurteshi, theksoi që shumica e rekomandimeve nga ky raport janë me vend dhe besojnë që ky bashkëpunim me YIHR KS-në ishte i rëndësishëm, për persona nga jashtë për të parë punën që bëhet brenda IAP-it. Gjithashtu, z. Kurteshi përgëzoi YIHR KS-në për kryerjen e monitorimit sipas marrëveshjes, duke respektuar konfidencialitetin e ankuesve dhe ftoi YIHR KS-në që të raportoj para gjithë stafit të institucionit lidhur me të gjeturat dhe rekomandimet. Gjithashtu, z. Kurteshi shpjegoi për disa vendime të brendshme lidhur me organizimin, edhe pse këto kanë qenë të nevojshme. Ndërsa, z. Mermet përgëzoj z. Kurteshin për bashkëpunimin në këtë projekt dhe theksoi që kjo kontribuon në transparencën e IAP-it. Gjithashtu, z. Mermet theksoi që rekomandimet janë konstruktive dhe ky raport mund të përdoret për përmirësim brenda IAP-it, si dhe në procesin për akreditim të Institucionit të Avokatit të Popullit si institucion kombëtar për të drejtat e njeriut sipas Principeve të Parisit në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë konferencës raporti është mirëpritur nga një numër pjesëmarrësish nga shoqëria civile, organizata civile, institucione vendore, si dhe nga Institucioni i Avokati i Popullit. Gjithashtu, është theksuar që do të ishte e mirëpritur nëse raporti do të shqyrtonte bashkëpunimin e IAP-it me institucionet tjera, sugjerim i mirëpritur nga YIHR KS që do të trajtohet gjatë aktiviteteve të ardhshme.

Përgjithësisht, konferenca ofroi një mundësi të mirë për të diskutuar rolin e IAP-it në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, YIHR KS është mirënjohëse për bashkëpunimin e ofruar nga IAP-i dhe shpreson të vazhdoj këtë për të zbatuar rekomandimet dhe ngritur nivelin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë.