Friday, September 22, 2017
YIHR

Raporti i progresit: Made in Kosova 2011

September 30, 2011
Made in KS

Çdo vit, Komisioni Evropian publikon raportin e progresit për shtete kandidate apo kandidate potenciale të BE-së, që bën një përmbledhje të të arriturave dhe sfidave përkatëse për secilin shtet, si dhe të gjeturat kryesore të cilat përdoren si mekanizëm tejet i rëndësishëm në matjen dhe evaluimin e zhvillimeve në vend.

Vitin e kaluar në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, disa organizata të shoqërisë civile përgatitën versionin e parë kosovar të raportit të progresit i cili e reflektoi vlerësimin dhe pikëpamjen vendore mbi progresin në Kosovë. Qëllimi i këtij produkti, që ishte unik për shtetet që e marrin Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian, ishte që të ofrohej një pasqyrë alternative ndaj progresit (ku hyjnë edhe stagnimi dhe regresi) në Kosovë, duke reflektuar pikëpamjen dhe vlerësimin e organizatave të shoqërisë civile kosovare mbi fushat esenciale të qeverisjes shtetërore.

Edhe këtë vit, organizatat e shoqërisë civile kanë përgatitur një raport të tillë. Ky raport vlerëson periudhën Tetor 2010 – Tetor 2011 dhe mbulon këto fusha:
Marrëdhëniet Kosovë – rajon – BE
Progresin politik dhe institucional (konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet, sundimi i ligjit, qeverisja lokale, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe mbrojta e minoriteteve), dhe
Progresin ekonomik (politikat ekonomike, tregtia e jashtme, sektori financiar).

Pasi që organizatat që kanë hartuar këtë raport janë të specializuara në fushat që i kanë mbuluar, një pjesë e materialit hulumtues reflekton punën monitoruese, hulumtuese, analitike dhe raportuese të tyre gjatë periudhës një-vjeçare. Për më tepër, vlerësimi mbështetet në shumë burime primare e sekondare dhe në konsultimet e zhvilluara me ekspertë të fushave përkatëse.

Organizatat që e kanë përpiluar “Raportin e Progresit Made in Kosova 2011” janë: Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti për Hulumtime Zhvillimore (RIINVEST), Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), Lëvizja FOL, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Shkarko raportin e plotë KËTU.