Wednesday, March 29, 2017
YIHR

YIHR KS promovoi publikimin e studimit të politikave për “Ligjin Kundër-Diskriminimit: Mekanizmat e Implementimit”

December 16, 2012
????????????????????????????????????

Publikimi i studimit të politikave për Ligjin Kundër-Diskriminimit: Mekanizmat e Implementimit u mbajt më 19 dhjetor 2012gjatë një konference të mbajtur në Hotel Prishtina, në të cilën morrën pjesë anëtarë të institucioneve, shoqëria civile, Avokati i Popullit dhe organizatat ndërkombëtare.

Studimi i politikave kishte marrë në shqyrtim implementimin ekzistues të Ligjit Kundër-Diskriminimit dhe Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë dhe efektshmërinë e tyre. Përveç kësaj, ishin shqyrtuar edhe standardet ndërkombëtare në këtë fushë, si dhe referimi te implementimi i tillë i mekanizmave që ekzistojnë te një numër i vendeve në rajon dhe më gjërë.

Konferenca u hap nga Znjsh. Raba Gjoshi – Drejtoreshë Ekzekutive e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, përderisa gjetjet nga raporti u prezantuan nga autorja, Znjsh. Natyra Avdiu – Koordinatore e Projektit për të Drejtat e Njeriut në Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë. Kontributin e tyre në këtë konferencë e dhanë edhe një numër panelistësh, duke përfshirë këtu: Znj. Suzana Novoberdaliu (Kryesuese e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Kosovës), Z. Sami Kurteshi (Avokat i Popullit i Kosovës), Znj. Sadete Demaj-Kajtazi (Zyra për Qeverisje të Mirë) dhe Z. Nedim Osmanagic (Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut – zyra e pavarur në Kosovë).

Gjatë prezantimeve të tyre Znj. Novoberdaliu raportoi mbi punën e Komisionit duke përfshirë edhe monitorimin e Ligjit Anti-diskriminim, për ç’gjë do të publikohet një raport. Përveç kësaj Znj. Novoberdaliu theksoi se pasiqë ligji nuk po mund të implementohet, ai duhet të ndryshohet ndërsa strategjia implementuese të shtyhet derisa të bëhen këto ndryshime. Z. Kurteshi foli rreth rasteve të diskriminimit me të cilat është marrë zyra e tij dhe mbi kompetencën e kufizuar që zyra e tij e ka në këtë fushë. Ndërkaq Znj. Demnaj-Kajtazi raportoi se Qeveria e Kosovës e ka futur në agjendën legjislative për vitin 2013 ndryshimin e Ligjit Anti-diskriminim dhe se zyra e saj e mirëpret bashkëpunimin me të gjitha palët e interesuara. Ndërkaq Z. Osmanagic theksoi se puna e bërë nga YIHR KS është një mjet i mirë që vendimmarrësit mund ta përdorin në ndryshimet e ardhshme ndërsa zyra e tij mund të ofrojë ekspertizë për hapat në vijim.

Gjatë diskutimeve u fol më detajisht edhe për mekanizmat e ndryshëm të cilët ekzistojnë në vende të rajonit, siç është psh Bullgaria.

Përgjithësisht konferenca ofroi një mundësi të mirë për të diskutuar mekanizmat implementues në këtë fushë dhe për të ndarë njohurinë mbi zhvillimet e fundit. YIHR KS do të vazhdojë punën me të gjitha palët e interesuara në mënyrë që të sigurohet që Ligji Anti-diskriminim ofron mbrojtje efikase për të gjithë.