Wednesday, March 29, 2017
YIHR

Në emër të lirisë së shprehjes

January 30, 2014
1

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) përkrahur nga Civil Rights Defenders, në një konferencë të organizuar publikoi raportin e fundit i cili fokusohet në gjuhën e urrejtjes së përdorur në mediat online dhe raporti i saj me lirinë e shprehjes. Raporti paraqet rezultatet e monitorimit të komenteve të publikuara nga ana e mediave online përgjatë vitit 2013.

Të pranishëm në konferencë ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe aktivistë të të drejtave të njeriut. Panelistë të ftuar ishin Z. Imer Mushkolaj – Nën-Kryetar i Bordit, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, Znj. Alma Lama – Deputete në Kuvendin e Kosovës , Z. Joel Mermet, Drejtor i Zyrës, Zyra e Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut – Zyra në Kosovë Z. Artan Haraqija – Redaktor Përgjegjës/Multimedia, Gazeta Zëri, Z. Adriatik Kelmendi – Gazetar, KTV, dhe Znj. Flutura Kusari – Këshilltare Ligjore, Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan.

Znj. Alma Lama, një mbrojtëse e denjë e lirisë së shprehjes, në fjalën e saj rrëfeu për kërcënimet që ajo kishte marrë përmes komenteve në portalet online në emër të lirisë së shprehjes. “Unë jam viktimë. Kam marrë kërcënime kundrejt jetës dhe familjes time. Nuk ndihem e sigurt për vetën dhe vajzën time. Unë jetoj në frikë” –tha deputetja Lama.
Z. Mermet shprehu shqetësimin e tij për të gjeturat e raportit dhe rrëfeu për përpjekjet që Zyra e Komisarit të Lartë është duke i bërë anë e mbanë botës për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Në anën tjetër, ai u shpreh që duhet pasur kujdes në kufizimet që i bëhen lirisë së shprehjes, pasi që ajo është njëra ndër të drejtat fundamentale. “Duhen gjetur mënyra për të filtruar gjuhën e urrejtjes. Në rast se një koment fshihet, atëherë lexuesit duhet të njoftohen për këtë ose, gazetarët duhet të inkuadrohen në debat me komentuesit. Anonimiteti është thelbësor për lirinë e shprehjes.” – tha z. Joel Mermet.

“Qytetarët duhet të ankohen dhe mediat të vetëdijesohen” tha z. Imer Mushkolaj duke inkurajuar kështu qytetarët që ndaj këtij diskursi të urrejtjes të parashtrojnë ankesë dhe të ndjekin kështu shembullin e YIHR KS-së, e cila tashmë ka bërë disa ankesa kundër portaleve. Ai po ashtu foli për rolin që Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka luajtur në adresimin e gjuhës së urrejtjes në mediat online.

Z. Artan Haraqia nga gazeta Zëri deklaroi se arsyeja e vetme pse gjuha e urrejtjes lejohet në portale janë mungesa e stafit dhe arsyet ekonomike, dhe se Zëri tashmë është duke bërë përpjekje të kontrollojë komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes dhe do të vazhdojë ta bëj edhe në të ardhmen. Në anën tjetër, z. Adriatik Kelmendi tha që mungesa e stafit dhe arsyet financiare nuk janë arsye për ekzistimin e gjuhës së urrejtjes në portale. Sipas tij, “edukimi dhe ngritja e vetëdijes së qytetareve janë qelësi drejt eliminimit të gjuhës së urrejtjes”.

Znj. Flutra Kusari nga BIRN tha që rasti i znj. Lama është treguesi më i mirë që prokuroria është duke dështuar në detyrën e saj. Po ashtu ajo shtoi që është shumë e rëndësishme të eliminohet gjuha e urrejtjes dhe se kjo mund të bëhet nëse portalet online të ndjekin shembullin e gazetës Jeta në Kosovë në redaktimin e komenteve.

Konferenca vazhdoi me diskutim të hapur, ku të pranishmit patën rastin të shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me të gjeturat e raportit.

Raportin mund ta gjeni këtu.