Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, shpreh shqetësimin e saj lidhur me mosbashkëpunimin e z. Blerim Kuçit me misionin e EULEX-it si dëshmitar për krime lufte.

Veprimi i z. Blerim Kuçit i cili mbanë postin e kryetarit të komunës së Therandës (Suharekës) dhe Sekretarit Organizativ të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përveç që nuk kontribuon në zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë, si veprim prej lideri jep shembull mosbashkëpunimi edhe për dëshmitarët tjerë.

Refuzimi për të dëshmuar të vërtetën promovon dhe fuqizon kulturën e mosndëshkimit dhe pengon procesin e vendosjes së drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Prandaj e ftojmë z. Blerim Kuçin dhe të gjithë liderët tanë që të japin kontributin e tyre dhe të përkushtohen në zbardhjen e së vërtetës, promovimin e drejtësisë dhe përmbushjen e së drejtës për të vërtetën dhe drejtësi për të gjitha viktimat.