Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Dymbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, plagët e krimeve në Kosovë mbeten ende të pashëruara. Bashkëndjenja e dhimbjes me familjarët e viktimave dhe zërat që kërkojnë vendosjen e drejtësisë për viktimat po zvogëlohen me kalimin e kohës. Gjeneratat të cilat përjetuan tmerrin e luftës pavetëdijshëm sikur po detyrohen të harrojnë të kaluarën, ndërsa gjeneratat e reja po synojnë të ardhmen pa përvetësuar barrën e përgjegjësisë sociale.

Të vetëdijshëm për angazhimin e pamjaftueshëm institucional për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe përmbushjen e të drejtave të familjarëve të viktimave si dhe mungesën e përgjegjësisë morale të shoqërisë, vazhdimisht kemi kërkuar angazhim më të fuqishëm institucional dhe jemi munduar të japin shembull të qytetarëve të përgjegjshëm e aktiv. Të zhgënjyer me përpjekjet e pamjaftueshme për ndriçimin e fatit të të pagjeturve dhe shndërrimin e tyre në numra dhe harresës shoqërore, vendosëm që sivjet Ditën e Kombëtare të Personave të Pagjetur ta shënojmë në mënyrën që ne menduam se më së miri e paraqet këtë realitet të hidhur shoqëror.

Numrat që zakonisht i dëgjonim në përvjetorë i rikthyem në emra të cilët i vendosëm në një mur, për të treguar se viktimat meritojnë dhe duhet të kujtohen me dinjitet, ndërsa për disa orë para murit vendosëm edhe disa karrige të zbrazëta për të simbolizuar mungesën e audiencës dhe vëmendjes përballë përgjegjësisë ndaj viktimave. Duke qenë se deri më tani viktimave iu referohej vetëm si një numër, ne ishim të vetëdijshëm se shpalosja e identitetit të tyre do të jetë çështje e ndjeshme për shoqërinë kosovare ngase emrat tregonin etninë e caktuar, megjithatë viktimat janë viktima dhe nuk mund të diskriminohen sipas përkatësisë së tyre etnike. Për më tepër ne besojmë se e vërteta nuk mund të fshihet, përkundrazi ajo duhet ballafaquar.

Vetëm kur filluam të punojmë në realizimin e këtij aksioni simbolik, ku secili person u trajtua jo si një numër por si njeri, niveli ynë i ndërgjegjësimit se sa e gjatë është lista e të pagjeturve dhe sa shumë familje ende përballen me ankthin e mosdijes për më të dashurit e tyre u ngrit edhe më shumë. Ndërkohë që pasi që gjithçka u vendos në vend ashtu siç kishim planifikuar, sërish u prekëm nga realiteti që kishim pasqyruar para vetes.

Mposhteshim nga ndjenja që përjetonim kur familjarët të lodhur nga dhimbja dhe ankthi i pritjes gjenin emrat e pjesëtarëve të tyre të familjes në mur. Reagimet e tyre ishin të ndryshme, disa ende qëndronin të fortë, disave u shpëtonin lotët e dhembjes, e disa sikur lehtësoheshin. Muri i improvizuar po shndërrohej në monument përkujtimi. Qytetarët të cilët befasishëm hasnin në të shtangeshin të habitur nga rreshtat e gjatë të emrave. Disave prej tyre fillimisht nuk iu shkonte ndërmend se çka mund të jetë ai mur me rreshta të pambarim emrash, por kur e kuptonin ndaleshin, i hidhnin një shikim të heshtur dhe të humbur e të prekur emocionalisht vazhdonin rrugën e tyre.

Fillimisht planifikuam që murin të mos e largojmë deri sa të mos na kërkohej një gjë e tillë, sepse dëshironim që ai të improvizonte memorialin kolektiv të munguar në Kosovë. Por duke qenë se muri u ndërtua në mungesë të planifikimit për qëndrim të gjatë dhe si i tillë mund të rrezikonte jetën e qytetarëve dhe pas dëmtimit të pariparueshëm nga persona të papërgjegjshëm, vendosëm që atë ta largojmë edhe pse e ndërtuam me shumë vullnet, përkushtim dhe vendosmëri. Megjithatë ngushëllues ishte fakti që ne krijuam një shembull të kujtesës kolektive dhe publikisht ftojmë Institucionet e Kosovës dhe Kuvendin Komunal të Prishtinës që shembullin tonë ta shndërrojnë në memorial të vërtetë kolektiv në mënyrë që viktimave të iu kthehet dinjiteti dhe familjarëve e shoqërisë të iu krijohet një vend përkujtimi. Por nuk mjafton vetëm kjo, edhe më esenciale është përkushtimi për vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat të cilën gjë e kërkojmë edhe më fuqishëm.


Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe rrjeti i aktivistëve “Nisma Ime”

Prishtinë, 09 maj 2011