Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton lirinë e shprehjes si të drejtë dhe liri themelore. Me këtë garantohet posaçërisht e drejta e shprehjes, shpërndarjes dhe pranimit të: mendimeve dhe mesazheve tjera pa asnjë pengesë.

Kjo në një shoqëri demokratike ua mundëson gazetarëve që ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm, duke e informuar në vazhdimësi opinionin rreth çështjeve me rëndësi publike siç janë sistemi i drejtësisë, ekonomia dhe llogaridhënia e zyrtarëve publik.

Kjo e drejtë në Kosovë, edhe pse nuk është duke u respektuar si duhet, kohëve të fundit ka një shkallë alarmante të shkeljes së saj sidomos kur është fjala për gazetarët. Përderisa kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve janë raportuar edhe më parë, vetëm javën që shkoi ishim dëshmitarë të një sulmi nga ana e policisë ndaj një foto-raportuesi. Si rrjedhojë, nuk pati asnjë hetim të pavarur rreth kësaj vepre të policisë; në vend të kësaj ky gazetar tani po ndiqet penalisht në gjykatë për një shkelje që supozohet ta ketë kryer 6 vite më parë.

Përveç kësaj, disa gazetarë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre janë shënjestruar gjatë javës së kaluar në lidhje me raportimet e tyre mbi një sërë çështjesh me rëndësi publike. Vendi ku ndjekjet e tilla po ndodhin janë gjykatat në të cilat janë ngritur një numër i padive private ndaj gazetarëve për shpifje.

Përderisa dënimi i praktikave të tilla po bëhet në vazhdimësi nga organizatat ndërkombëtare dhe vendore e po ashtu edhe nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, deri më tani nuk kemi parë të jetë ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Për shembull, shpifja mbetet vepër penale në Kodin Penal të Kosovës. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut u bën thirrje autoriteteve që të bëjnë ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës në lidhje me këtë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që gazetarët të mos pengohen për të ushtruar profesionin e tyre rreth informimit të qytetarëve të Kosovës në lidhje me çështjet e rëndësisë publike. Përveç kësaj, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut shfrytëzon rastin që t’ua përkujtojë institucioneve qeverisëse se garantimi i lirisë së shprehjes është obligim negativ i cili i obligon zyrtarët qeveritarë për t’u përmbajtur nga ndërhyrja në fjalën e lirë. Kjo ka rëndësi themelore dhe duhet të shikohet si e tillë nga të gjithë zyrtarët qeveritarë të cilët janë të obliguar të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës në një shoqëri demokratike ku liria e shprehjes do të avancohej, në vend se të kontribuojnë në censurimin e saj.