Monday, June 26, 2017
YIHR

Bëhu aktivist/e i/e YIHR-së!

 

I/e nderuar para se të vendosni të anëtarësoheni, ju lutemi ta lexoni manifestin e Nisma Ime.

                         “Nisma Ime” Manifesto

Vizioni ynë është ai i një Kosove moderne dhe qytetare që i përvetëson plotësisht vlerat evropiane. Ne besojmë në fuqinë e rinisë për me e kthy këtë vizion në realitet. Krejt çka nevojitet është një vullnet dhe përkushtim më serioz… dhe më pak ankesa të pafrytshme gjatë pirjes së makiatos.

Vitet e gjata të shtypjes dhe luftës e kanë dëmtuar seriozisht psiken tonë individuale dhe shoqërore, duke na e rrëmbyer dinjitetin qytetar dhe duke na e instaluar ndjenjën e pafuqisë në raport me strukturat në fuqi. Shoqëria kosovare shumë gjatë qëndroi e heshtur për hir të proceseve të mëdha politike. Tani që mjegulla e popullizmit po venitet dhe hipokrizia e saj po bëhet gjithnjë e më e dukshme, nevoja për angazhimin e shoqërisë bëhet edhe më urgjente. Rinia kosovare duhet ta rikthejë ndjenjën e humbur të bashkësisë dhe t’i kanalizojë energjitë përmes një agjende përparimtare.

Nisma Ime përbëhet nga një grup qytetarësh të përgjegjshëm të cilët janë të gatshëm me e shkund apatinë shoqërore dhe me i ndez motorët e ndryshimit politik dhe shoqëror. Ne jemi qytetarë aktivë, të gatshëm me i aktivizu të tjerët në emër të synimeve përparimtare. Ne jemi rojtar këmbëngulës, gjithmonë sfidues ndaj keqpërdorimeve arbitrare të fuqisë. Ne jemi vizionarë, të bindur se e vetmja rrugë e përparimit është ajo e përvetësimit të vlerave dhe principeve demokratike të Evropës.

Shteti i ardhshëm nuk do të jetë më “i huaj” për ne. Përgjegjësia e sistemit demokratik për herë të parë do të bie mbi supet tona. Synimi i Nisma Ime është që kjo demokraci të jetë e drejtë, gjithëpërfshirëse, transparente dhe respektuese ndaj të gjithë qytetarëve të saj. Parimi kyç i Nisma Ime është besimi se shoqëria kosovare mund të bëhet vërtet e lirë dhe kohezive vetëm nëse shteti i mbron të drejtat e të gjitha grupeve pakicë, pa asnjë lloj diskriminimi.

Nisma Ime beson se është shumë me rëndësi që rinia kosovare:
 Të zhvillojë mendimin kritik në lidhje me proceset politike dhe sociale.
 Të bëhet më aktive në sfidimin e strukturave ne fuqi kur ato shkaktojnë padrejtësi.
 Të nxis mekanizma për ballafaqimin me të kaluarën në mënyrë që shoqëria të fillojë të shikojë drejt së ardhmes.
 Të ngritë vetëdijen e shoqërisë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nevojën për të luftuar kundër shkeljeve të këtyre të drejtave.

Nisma Ime është e hapur ndaj çdokujt që i ndan vlerat dhe parimet e njëjta dhe është i/e gatshëm/me të ndihmoj në përhapjen e këtij vizioni të përbashkët.