Friday, October 6, 2017
YIHR

Reagim i YIHR KS ndaj deklaratës të Gëzim Kelmendit mbi komunitetin LGBTI+

1725 October 6, 2017 Lajme
gezim kelmendi_ lgbt flag

Nisma e të  Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë (YIHR KS) dënon ashpër përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi. Në këtë deklaratë ai potencon se “homoseksualët rrënojnë dhe shkatërrojnë vendin dhe popullin tonë. Ata synojnë ta përhapin këtë sëmundje në vendin tonë dhe të paraqesin diçka si normale në emër të demokracisë”. Për më shumë  ai thekson se “homoseksualët janë bartësit kryesor të sëmundjes vdekjeprurëse AIDS dhe Homoseksualizmi si sëmundje është armiku kryesor i familjes në veçanti dhe gjithë njerëzimit në përgjithësi, ngase çiftet homoseksuale nuk mund të lindin fëmijë. Kështu ata kontribuojnë në shuarjen e familjes dhe zhdukjen e njerëzimit.”

 

Duke marrë parasysh se z. Kelmendi, si ish-deputet dhe kryetar i partisë “Fjala”, është figurë publike me ndikim në ndryshime shoqërore dhe politike, ai duhet të përmbahet në gjuhën që përdor në diskursin publik dhe privat. I kujtojmë z. Kelmendit se Kushtetuta e Kosovës Neni 24, paragrafi 2 thekson se: “Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.” Gjithashtu Neni 43 mbi Lirinë e Tubimit thekson se “Liria e tubimit paqësor është e garantuar. Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to.“ Prandaj idea se vetëm disa grupe të caktuara shoqërore kanë të drejtë të tubohen duke e moralizuar idenë e tubimit është e pavertetë dhe e kundërligjshme.

Gjithashtu, e njoftojmë z. Kelmendin, si një specialist në fushën e mjekësisë, që homoseksualiteti është larguar nga lista e sëmundjeve nga Shoqata Amerikane e Psikiatrisë në vitin 1973. Për më shumë, Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu nuk e konsideron si sëmundje që nga viti 1992. Kështu cilësimi se është sëmundje është jofaktik dhe arkaik.

Deklaratat si “Njëherit homoseksualët e kanë të ndaluar të dhurojnë gjak në vendet e BE-së, SHBA-së dhe në vendet tjera” janë plotësisht të pavërteta, dhe të bazuara në hamendësime homofobike të krijuara nga mungesa e informacioneve të mjaftueshme.

Mendime të tilla, përveç që nuk kanë vend në diskursin publik, përhapin urrejtje dhe krijojnë një hapësirë ku dhuna drejt komunitetit LGBTI+ është e pranueshme.

Prandaj, e ftojmë z. Kelmendin, nëse është i interesuar të mësojë fakte shkencore mbi orentimin seksual, prezencën historike të komunitetit LGBTI+ dhe nevojën e një parade ku promovohen të drejtat e personave LGBTI+, të na kontaktojë ose të vizitojë zyret tona.

Like this Article? Share it!