Saturday, April 21, 2018
YIHR

Reagim i YIHR-së ndaj mbajtjes së një minutë heshtje në Kuvendin e Kosovës me rastin e vdekjes së Haradin Bala

1788 February 9, 2018 Lajme
yihr

Në vend të përkujtimit të viktimave të luftës, autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës vazhdojnë të nderojnë kriminelët e luftës

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Serbia) dënojnë ashpër nderimin e kriminelit të luftës Haradin Bala në Parlamentin e Kosovës, i vetmi anëtar i UÇK-së i dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës, si dhe veprimin e autoriteteve Serbe për përfshirjen e Vinko Pandurevic, i dënuar për krime lufte në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën.

Ju kujtojmë se në aktgjykimin e parë të shpallur më 30 nëntor 2005, z. Bala u dënua me 13 vjet burg për torturë, trajtime çnjerëzore dhe vrasje në lidhje me keqtrajtimin e tre të burgosurve në kampin-burg e Llapushnikut. Ai kishte rol në “mbajtjen dhe zbatimin e kushteve çnjerëzore në kamp”, duke ndihmuar në vrasjen e një të burgosuri dhe duke marrë pjesë në vrasjen e nëntë të burgosurve të tjerë, të cilët u dërguan në malin Berisha dhe u vranë më datë 25 ose 26 korrik të vitit 1998. Dënimi i tij u konfirmua më 27 shtator 2007 në aktgjykimin e shkallës së dytë në rastin Limaj et al., ku Fatmir Limaj dhe Isak Musliu u shpallën të pafajshëm.

Ndërsa, vetëm dy ditë më parë, me ftesë të Zyrës të Qeverisë të Serbisë në Kosovë, Vinko Pandurevic ishte ftuar si ekspert në tryezën e rrumbullakët në kuadër të dialogut të brendshëm të Kosovës. Z. Pandurevic, ish- komandant i Brigadës të Ushtrisë të Republikës Serbe, u dënua me 13 vjet burg në bazë të komandës dhe përgjegjësisë individuale për vrasjet, shfarosjen dhe përndjekjet në Srebrenicë dhe vendet përreth gjatë muajit korrik të vitit 1995. Krimet e Pandurevic janë kualifikuar si krime kundër njerëzimit dhe shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës.

Kështu, ne i bëjmë thirrje qeverisë të Kosovës dhe Qeverisë të Serbisë që të ndalojnë nderimet e kriminelëve të luftës dhe të përqendrohen në procesin e pajtimit duke punuar së bashku dhe me vendet e tjera të rajonit për të krijuar Komisionin Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e Luftës dhe shkeljet e tjera të Rënda të të Drejtave të Njeriut të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001. Krijimi i këtij komisioni mbështetet nga Nisma për KOMRA.

Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mos hezitojnë së punuari në arritjen e drejtësisë për viktimat e luftës dhe të mos pengojnë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës të Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Në anën tjetër, është përgjegjësi e autoriteteve në Serbi që të mos përfshijnë kriminelët e luftës si Lazarevic, Sainovic dhe në rastin e fundit, Pandurevic, në dialogun e brendshëm mbi Kosovën por as në ndonjë detyrë tjetër publike. Shteti i Serbisë ka për obligim të ndjek penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime lufte, por edhe të shfrytëzoj sistemin e edukimit formal për të nxitur kulturën e përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë.

Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nderimit të kriminelëve të luftës. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojmë për të edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve.

Ne i bëjmë thirrje të dy qeverive, që të dalin përtej deklaratave dhe të bëjnë hapa konkretë në procesin e pajtimit.

Ne besojmë se asnjë marrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve nuk do të mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, pa u dënuar të gjithë kriminelët e luftës dhe pa u nderuar të gjitha viktimat e luftës nga të dyja shtetet.

Like this Article? Share it!