Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Prishtinë, 11 maj 2022: Kemi kënaqësinë të njoftojmë publikimin zyrtar të raportit të tretë të përbashkët të shoqërisë civile mbi të drejtat e njeriut në Kosovë. Raporti paraqet një pasqyrë të situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2021, duke përfshirë problemet dhe sfidat më urgjente për realizimin e të drejtave të njeriut si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. Raporti vlerëson të drejtat civile dhe politike; të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore; çështjet e të drejtave të njeriut që kanë të bëjnë me grupe dhe persona specifik në situata të cenueshme dhe disa tema ndërsektoriale të të drejtave të njeriut, si drejtësia tranzicionale, korrupsioni dhe të drejtat e njeriut, si dhe mjedisi dhe të drejtat e njeriut.

Tridhjetë e shtatë organizata të shoqërisë civile (OShC) që punojnë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë kanë bashkuar forcat për të hartuar këtë raport. Përveç rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile që vijnë nga sfera të ndryshme, ky raport synon të vazhdojë ofrimin e monitorimit dhe raportimit të përbashkët për të drejtat e njeriut në Kosovë në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Raporti trajton çështjet dhe sfidat urgjente të të drejtave të njeriut në Kosovë që u zgjodhën pas një shqyrtimi të plotë të kontekstit lokal gjatë një procesi konsultativ me një numër të OShC-ve të të drejtave të njeriut. Krahas kësaj, raporti ofron një sërë rekomandimesh konkrete për institucionet e Kosovës, të cilat synojnë përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë.

OShC-të që kontribuojnë në këtë raport u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës dhe palëve të tjera të interesuara që të ndërmarrin veprimet dhe masat e duhura, sipas rekomandimeve të dhëna në raport, në mënyrë që të adresojnë shqetësimet dhe problemet e të drejtave të njeriut të identifikuara dhe të paraqitura në raport. Nëse nuk adresohen, këto shqetësime dhe probleme me shumë gjasa do të vazhdojnë apo edhe do të thellohen, duke vazhduar t’iu  pengojnë qytetarëve gëzimin e të drejtave të njeriut në Kosovë siç garantohen me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin dhe disa instrumente ndërkombëtare dhe rajonale drejtpërdrejtë të aplikueshme për të drejtat e njeriut. Pasi që disa nga këto sfida të të drejtave të njeriut janë përkeqësuar nga COVID-19 dhe masat për ndalimin e përhapjes së virusit , ne gjithashtu u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe të gjithë akterëve të tjerë që të vendosin të drejtat e njeriut në qendër dhe në prioritet të reagimit dhe rimëkëmbjes nga COVID-19.

Në këtë raport kanë kontribuar 37 OSHC-të në vijim: Activism Roots, Advancing Together (AT), Artpolis, Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan (BIRN), Balkan Sunflowers Kosova  (BSFK), Qendra e Berlinit për Ndërmjetësim të Integruar – QBNN, Qendra për Veprime Afirmative Sociale (QVAS), Qendra për Barazi dhe Liri (QBL), Programi i të Drejtave Civile në Kosovë (PDC/K), Platforma CiviKos, Lëvizja FOL, Forumi për Nisma Qytetare (FIQ), Qendra e Inovacionit të Graqanicës (QIG), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), HANDIKOS, Qendra Juridike Humanitare në Kosovë (QJHK), Koalicioni i Organizatave Joqeveritare (OJQ) për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Koalicioni K10 me OJQ-në lidere Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF), Qendra Kosovare e Arsimit (QKA), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRVT), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Kosova Young Lawyers (KYL), Këshilli Rinor Kosovar (KRK), Nisma Lokale LINK, Medica Gjakova, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH), Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK), Nisma e Re Sociale (NRS), OJQ AKTIV, OJQ THY, Roma Versitas Kosova (RVK), Syri i Vizionit, Terre des Hommes Kosovo (TDH), Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve (VoRAE), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS). 

Raporti i plotë është i disponueshëm në gjuhët Shqipe, Serbe dhe Angleze dhe është i bashkangjitur në këtë deklaratë për shtyp.

Për çdo pyetje eventuale, ju lutemi kontaktoni Marigona Shabiu (marigona@yihr.org) dhe/ose Fiona Haxhiislami (fiona.haxhiislami@yihr.org).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *