Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Muri me emrat e të gjithë personave të pagjetur në Kosovë (i referuar në listën e të pagjeturve të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të miratuar edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur) i vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dhe aktivistët e Nisma Ime, më 27 prill, në Ditën e Personave të Pagjetur në Kosovë është dëmtuar nga pjesëtarë të të ashtuquajturës “Rruga Jonë”. Këta persona të panjohur kanë mbuluar me ngjyrë të kuqe emrat e të pagjeturve serb duke shkelur kështu mbi dinjitetin e viktimave.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, megjithëse është e vetëdijshme për ndjeshmërinë e kësaj çështje për shoqërinë kosovare në përgjithësi dhe familjarët e viktimave në veçanti, e dënon këtë akt dhe përkujton se veprime të tilla cenojnë dinjitetin e viktimave dhe nuk kontribuojnë në zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre.

Nisma, gjithashtu përkujton se institucionet e Kosovës e kanë për obligim të përkushtohen për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve pavarësisht etnisë së tyre. Ndërkohë që vendosja e drejtësisë dhe dënimi i përgjegjësve të krimeve të luftës mbetet përgjegjësi e gjykatave të cilat duhet të gëzojnë përkrahje të fuqishme nga institucionet relevante dhe shoqëria kosovare në mënyrë që të gjithë familjarëve të iu përmbushet e drejta për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre, e drejta për të vërtetën dhe drejta për drejtësi.