Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe në vazhdën e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Civil Rights Defenders (ish Komiteti Suedez i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut) kërkojnë nga të gjitha partitë politike që të angazhohen më fuqishëm në promovimin e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut, duhet të jenë prioritet i të gjitha partive politike dhe gjithashtu, prioritet në punën e Parlamentit të ri që do të votohet.
Të drejtat e njeriut, përbëjnë vlerat dhe parimet bazë të një shoqërie demokratike, që bazohet në sundimin e së drejtës dhe kjo është një aspiratë që Kosova duhet ta arrijë sa më parë. Për më tepër përmbushja e kriterit të respektimit të të drejtave të njeriut është kusht themelor për integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Andaj iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike, që të mos i harrojnë këto parime gjatë fushatës zgjedhore por edhe pas zgjedhjeve, si dhe të angazhohen seriozisht në këtë drejtim pa marrë parasysh se cilat do të jenë pozicionet e tyre pas rezultateve zgjedhore.