Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Me rastin e 30 gushtit Ditës Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) shpreh shqetësimin e madh për mos zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Edhe pse dymbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, ende nuk dihet për fatin e mijëra personave të pagjetur dhe kësisoj e drejta e familjarëve për të ditur se ku gjenden më të dashurit e tyre mbetet e parealizuar.

Nisma kërkon nga institucionet përgjegjëse kombëtare dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin rol më aktiv në zbardhjen e shkeljeve të drejtave të njeriut në të kaluarën, gjetjen e personave të pagjetur dhe vendosjen e drejtësisë.

Nisma gjithashtu iu bën thirrje vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë ndërmjet vete në respektimin e standardeve ndërkombëtare ngase veprimet e tilla janë shumë të rëndësishme ndriçimin e të vërtetës mbi krimet e luftës të bëra në të kaluarën e afërt.