Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Pas një beteje ligjore 11-vjecare mes YIHR KS dhe Klan Kosova, Gjykata e Apelit i ka dhënë përsëri të drejtë YIHR KS duke e konsideruar padinë për shpifje të Klan Kosovës si të pabazë.

Në maj të vitit 2010, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë publikoi raportin 50-faqësh “Tkurrja e Hapësirës Publike Qeverisja dhe Liria e Shprehjes në Kosovë” (shihni linkun) rezultat i një përpjekjeje hulumtuese gjashtë-mujore ku YIHR KS kishte ngritur shqetësime se televizoni në fjalë po favorizonte një parti të caktuar politike, specifikisht PDK-në. Raporti ngriti shumë çështje të rëndësishme dhe mori lëvdata të shumta për një hulumtim të guximshëm dhe analizë të thuktë të fenomeneve shqetësuese institucionale gjatë dy viteve të para të pavarësisë së Kosovës.

Më 25 qershor të vitit 2010 Televizioni “Klan Kosova” ushtroi padi në Gjykatë ndaj YIHR KS me pretendimet se raporti kishte dëmtuar imazhin e televizionit dhe kishte kërkuar 285 mijë euro si dëmshpërblim. Vlen të theksohet se media në fjalë kishte dështuar të sillte prova me të cilat do të vërtetonte se reputacioni i televizonit ishte dëmtuar pas publikimit të raportit hulumtues.

Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike të njohura si paditë SLAPP, rrezikojnë dhe cenojnë seriozisht të drejtën e lirisë së shprehjes. Nëse media në fjalë do ta fitonte betejën, do të lejohej cenzura e kësaj lirie dhe roli i shoqërisë civile në adresimin dhe ngritjen e shqetësimeve lidhur me rrezikimin e demokracisë në vend do të minohej jashtëzakonisht shumë.

Dëshirojmë të falemnderojmë Avokaten e rastit Merita Stublla-Emini, autorin e raportit Alex Anderson, të gjithë përkrahësit nga shoqëria civile, dhe sidomos Civil Rights Defenders dhe BIRN Kosova, Institucionin e Avokatit të Popullit si dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe misionet e shteteve të ndryshme në Kosovë.

Solidariteti dhe aktivizmi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duhet të jetë një kauzë e përbashkët!

Linku i raportit – https://yihr-ks.org/…/Tkurrja-e-hapesires-publike1-1.pdf

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *