Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, përgjatë periudhës 21 shkurt – 19 maj 2012, ka organizuar Shkollën për Liderë të Rinj 3. Gjatë programit të Shkollës për Liderë të Rinj 3, është arritur që përmes ligjëratave, diskutimeve përmbajtësore, aktiviteteve kulturore dhe vizitave studimore, t’iu ofrohet mundësia 20 studentëve, aktivistë të të drejtave të njeriut, dhe anëtarë të OJQ-ve, të marrin njohuri dhe të kuptojnë më në hollësi çështjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe rajoni aktualisht.

Duke qenë pjesë e këtij programi, pjesëmarrësit e Shkollës patën rastin të:
– familjarizohen me konceptet moderne të të drejtave të njeriut, sundimit të së drejtës dhe parimeve demokratike, si ndërlidhje të domosdoshme në ndërtimin e demokracisë dhe një shoqërie tolerante/paqësore;
– zhvillojnë mendimin kritik lidhur me mundësitë kreative/praktike të qeverisjes së mirë dhe transparencës politike;
– fuqizojnë njohuritë e tyre në fushën e drejtësisë tranzicionale;
– marrin njohuri të nevojshme teorike mbi demokracinë e drejtpërdrejtë duke analizuar praktikat më të mira nëpër botë;
– kuptojnë kompleksitetin dhe pasojat e paragjykimeve, stereotipeve dhe diskriminimit në jetën shoqërore;
– familjarizohen me konceptet e kombit, nacionalizmit dhe identitetit;
– njihen me idenë dhe karakteristikat historike, politike dhe ekonomike të Bashkimit Evropian, sistemin e saj legjislativ dhe proceset politike të BE-së; dhe të
– fuqizojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre të shkrimit akademik.

Përveç ligjëratave, seminareve dhe punëtorive të ndryshme, studentët e gjeneratës së tretë të Shkollës për Liderë të Rinj morën pjesë edhe nëpër vizita studimore lokale dhe rajonale.

Në kuadër të vizitave studimore lokale, studentët e gjeneratës së tretë të Shkollës për Liderë të Rinj vizituan dhe u takuan me përfaqësuesit e organizatave dhe institucioneve të ndryshme që veprojnë në Kosovë, ndër të cilat: Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë; Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; Këshillin e Evropës, zyra në Prishtinë; Kuvendin e Republikës së Kosovës; Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur në Kosovë (ICMP);Komitetin Ndërkombëtarë të Kryqit të Kuq në Kosovë (ICRC); Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë; dhe Panelin Shqyrtues të të Drejtave të Njeriut.

Përderisa, gjatë vizitës studimore rajonale të realizuar në Beograd më 17-19 maj 2012, studentët e gjeneratës së tretë patën mundësi të vizitojnë: Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi; Fondin për të Drejtën Humanitare në Serbi;Kuvendin e Republikës së Serbisë; Belgrade Open School; dhe të takohen me: përfaqësuesen e Partisë Liberal Demokrate – Judita Popovic; përfaqësuesit e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi; studentët e New Policy School; dhepresidentin e Unionit Social Demokratik – Zharko Koraq.
Gjatë kësaj vizite studimore rajonale, për studentët nga Kosova është organizuar një ligjëratë me profesor Jovan Teokareviq në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, me temë: Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimet Evropiane.

Shkolla për Liderë të Rinj 3 u përkrah nga Fondi Ballkanik për Demokraci (BTD) dhe Fondacioni Soros përmes Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).