Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Koha e izolimit për shkak të pandemisë COVID-19 padyshim që nxorri në pah padrejtësitë e shumta shoqërore, ekonomike e politike. Këto padrejtësi ishin ekzistente edhe më herët, përkundërejt refuzimit e injorimit nga strukturat shtetërore dhe pandemia vetëm se veproi si një shtysë që këto padrejtësi të paktën të bëhen pjesë e diskursit publik. 

Nuk ishte cudi të shohim se si grupe të caktuara vuajnë dukshëm më shumë pasojat e një krize të tillë. Vajzat dhe gratë, komunitetet jo-shumicë rom, ashkali e egjiptianë, komuniteti LGBTQI, personat e familjet me të ardhura të ulëta ekonomike u gjendën në një situatë pa rrugëdalje dhe me një rrezik të shtuar të infektimit, dhunës fizike, emocionale e seksuale. 

Me ndihmën e organizatës Demokraci për Zhvillim, YIHR KS ka mbajtur një diskutim virtual me aktiviste nga disa vende të Ballkanit Perëndimor e rajonit për të diskutuar bashkarisht situatën momentale mbi dhunën me bazë gjinore, pakot emergjente të aprovuara nga qeveritë respektive e punën e shoqërisë civile dhe aktivisteve feministe. Grupet feministe dhe organizatat e shoqërisë civile ishin të paratë që reaguan kundrejt mos përfshirjes së grave në pakot emergjente dhe rehabilituese, në dështimin për të adresuar nevojat e grave në përgjithësi, si dhe problematizuan faktin e dukshëm që për shkak të izolimit gratë po ballafaqoheshin me nivele të shtuara të dhunës fizike, emocionale e seksuale. 

A është shtëpia vend i sigurt për të gjithë? 

Në shoqëri patriarkale, shtëpia asocon në një hapësirë fizike e mendore që është e shkëputur prej asaj që ndodhë jashtë saj dhe rregullat janë kryesisht të bazuara mbi normat gjinore. Cfarë ndodhë në shtëpi, mbetet brenda shtëpisë. Puna që bëhet në shtëpi shihet si e natyrshme dhe nuk bart ndonjë rëndësi për sistemin ekonomik, shoqëror a politik si tërësi dhe nuk gëzon asnjë vlerë sipas politikave neo-liberale. Rrjedhimisht, dhuna ndaj vajzave dhe grave është konsideruar vazhdimisht si cështje private e familjes dhe nuk ka zënë vendin e duhur në diskursin publik e as nuk ka marrë trajtimin dhe reagimin e duhur nga institucionet relevante. 

Izolimi që zgjati mbi tre muaj në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor shënoi shifra shqetësuese të dhunës me bazë gjinore edhe pse aktivistet feministe janë të prirura të besojnë se statistikat nuk e paraqesin realitetin. Gratë dhe anëtarët e komunitetit LGBTQI u privuan në nivele ekstreme nga mundësia për raportim të rasteve të dhunës, ofrimit të ndihmës në kohë reale dhe qasjes në strehimore, shërbime publike shëndetësore apo të tjera. 

Shtëpia nuk na doli të jetë vend i sigurt dhe parajsa e qetësisë mendore e fizike që supozohej të ishte dhe pandemia sqaroi rrezikun që vjen nga zgjatimi i shtypjes së grave brenda shtëpisë në sfera të tjera publike. Shumë vajza e gra të ballafaquara me largimin nga puna, izolimin brenda një hapësire fizike me abuzuesit ekzistent apo potencial u vunë para faktit që jo lehtë mund të thërrasin policinë apo të kërkojnë strehim larg shtëpisë. Reagimi dhe ofrimi i zgjidhjeve momentale, erdhi pas presionit të shoqërisë civile dhe aktivisteve feministe që shtyn përpara krijimin e linjave të sigurta telefonike për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe politika të tjera ad-hoc. Sipas aktivisteve të vendeve të ndryshme, i njëjti skenar ndodhi në po thuajse të gjitha shtetet. 

Pandemia për gratë në terma ekonomik: 

Në terma ekonomik, gratë preken jo-propocionalisht nga kriza të tilla. Duke qenë se një përqindje e lartë e grave, në nivel botëror, punojnë me gjysëm orar apo janë pjesë e ekonomisë jo-formale, ato janë grupi i parë që largohen nga puna, privohen nga të ardhurat dhe rehabilitimi i tyre ekonomik është shumë më i vështirë dhe më i gjatë se ai i burrave. 

Roli prodhues dhe riprodhues i grave në ekonominë formale dhe jo-formale ndikohet thellësisht në kohë krizash ekonomike, shoqërore a politike. 

Sipas Sophie Herman, ekonomia e papaguar e kujdesit riprodhues që konsiderohet të jetë natyralisht feminine, në situata krizash të tilla vepron si ‘absorbues i shokut’. Janë gratë ato të cilat në situata krize bartin barrën e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, vazhdojnë të kryejnë edhe më intenzivisht punët e shtëpisë (pastrimi, gatimi e të tjera) e të largohen më lehtë nga ekonomia formale e jo formale (të pushohen nga vendet e punës). Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), gratë në nivel botëror, shpenzojnë 16.4 miliardë orë pune duke kryer punët e shtëpisë dhe punë kujdestarie, për të cilat nuk paguhen. Gjatë bisedës me aktivistet feministe të Ballkanit Perëndimor, u tha që kjo mendësi dhe kornizë e funksionimit shoqëror është plotësisht e njejtë dhe valide edhe në vendet e rajonit. 

Hulumtimet tregojnë se gjatë shpërthimit të Ebolës në Afrikën Perëndimore, një shumicë e konsiderueshme e grave vuanin edhe nga trauma psikologjike që vinin pikërisht nga fakti se ato ishin përgjegjëset kryesore për të sëmurit dhe kishin frikën se mund të bartnin virusin tek fëmijët e tyre. 

Në anën tjetër, gratë përbëjnë rreth 70% të punëtorëve shëndetësorë në nivel botëror e që nuk përbën përjashtim as për Kosovën dhe shtetet e tjera fqinje. Po ashtu, të gjitha shërbimet esenciale të cilat ishin aktive gjatë kohës së izolimit, si marketet ushqimore dhe farmacitë, përbëhen nga një përqindje dukshëm më e lartë e grave si forcë punëtore. Përvec rrezikut direkt nga infektimi me virusin COVID-19 dhe orët e gjata të punës, mbyllja e shkollave dhe cerdheve i vendosi në pozitë të pafavorshme këto gra të cilat duhet të gjenin alternativa për kujdesin e fëmijëve dhe transportin nga shtëpia për në vendin e punës ndër të tjera. 

Diskutimi me aktivistet feministe të rajonit nxorri përfundime të shumta dhe në thellësi u problematizua shtypja sistematike e grave, qoftë në domenin privat apo atë publik. Gjithsesi, organizatat e shoqërisë civile dhe lëvizjet feministe në rajon dhe në botë, gjatë kohës dhe izolimit por dhe më pas, vazhduan punën dhe aksionet e tyre virtualisht duke nxitur kësisoj diskutime publike mbi situatën e grave dhe rolin e tyre. U theksua vazhdimisht nga panelistet që assesi nuk duhet lejuar kthimin e ngutshëm tek “status quo” e pabarazisë që karakterizon shoqëritë tona por duhet të insistojmë në një tranzicion strukuror në një ekonomi që vlerëson punët e shtëpisë dhe ato të kujdesit dhe siguron përmirësim të jetesës për të gjithë përmes politikave sociale. Pandemia mund të shihet si një thirrje për t`u `zgjuar` nga një gjendje asnjanëse dhe refuzimi i politikave diskriminuese që minimizojnë eksperiencat e grupeve të caktuara dhe i shtypin ato. 

Po ashtu, u theksua rëndësia e një lëvizjeje feministe ndërthurëse dhe nevoja e bashkëpunimit dhe lidhjes së lëvizjeve feministe të rajonit. Përmes bashkëdyzimit të teorisë dhe praktikës, mund të arrijmë njohjen e eksperiencave të grave dhe identiteteve të tjera të tyre dhe garantimin e një statuti të barabartë shoqëror, ekonomik e politik. Lëvizjet feministe në njërën anë dhe shoqëria civile në anën tjetër, mund të shtyjnë përpara ndryshime rrënjësore në nivel shoqëror dhe shtetëror. 

Ky artikull është shkruar nga YIHR KS në kuadër të nismës  “Aksione në komunitet për të promovuar lejen prindërore” në kuadër të  projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Demokraci për Zhvillim, financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.  

Find here the article in SERBIAN
Find here the article in ENGLISH
Find here the article in CROATIAN
Find here the article in BOSNIAN
Find here the article in MACEDONIAN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *