Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Dialogu kundër mosnjohjes dhe paragjykimeve

“Dëshirojmë që të rinjve nga Kosova dhe Serbia t’u japim hapësirë të bisedojnë për temat që janë me rëndësi për brezat e rinj. Nuk mendojmë se konferenca duhet të ofrojë zgjidhje të gatshme, e as se të gjithë duhet të pajtohemi. Në radhë të parë dëshirojmë të njihemi dhe të bisedojmë se si mund t’i kapërcejmë problemet ekzistuese. Shpresoj të gjejmë rekomandime që mund t’ua dërgojmë Beogradit e Prishtinës zyrtare si dhe aktivitete ku do të bashkëpunojmë”, ka thënë Maja Miçiq, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të drejtat e njeriut (Nisma) nga Serbia, duke hapur konferencën treditore të të rinjve nga Kosova e Serbia “LinKS”, që filloi dje në Beçiq të Malit të Zi.

Qëllimi i konferencës të organizuar nga Nisma në Kosovë dhe ajo në Serbi është të dëshmojë se dialogu konstruktiv ndërmjet Beogradit e Prishtinës është i mundshëm dhe i domosdoshëm, dhe të krijojë lidhje të reja ndërmjet të rinjve të cilët do të promovojnë një dialog të tillë.

Nga viti 2003, kur u themelua Nisma, ideja fillestare e organizatës ka qenë të krijojë kontakte ndërmjet dy shoqërive. Kjo ide njerëzve u dukej absurde, por me kohë u bë e pranueshme, dhe Programi Viziting i këmbimit të të rinjve nga Kosova dhe Serbia deri më tash është programi ynë më i suksesshëm nëpër të cilin kanë kaluar mbi 2 mijë të rinj”, ka thënë Raba Gjoshi, drejtoreshë e Nismës në Kosovë. Koordinatori i programit të këmbimit nga Prishtina, Ferid Murseli ka theksuar se nga muaji në muaj arrijnë më shumë kërkesa për të vizituar Beogradin.

Në panelin e dytë “Kosova dhe Serbia, shikimi ‘i tjetrit”, u bisedua për përgjegjësinë e elitave politike e intelektuale, por edhe të mediave për krijimin e paragjykimeve dhe stereotipeve mbi serbët dhe shqiptarët.

“Gjatë historisë disa intelektualë serbë kanë ndikuar në krijimin e stereotipit për shqiptarët, dhe kjo shpesh ka ndodhur për shkak të qëllimeve të ndryshme politike”, ka tërhequr vëmendjen historiani Sërgjan Millosheviq nga Instituti për historinë e Re, nga Beogradi.

Korrespondeti i të përditshmes “Kohës Ditore” nga Prishtina, Idro Seferi ka përmendur shembullin e praktikës së keqe të mediave shqiptare e serbe: “Lajmet janë të njëanshme, në Serbi nuk shkruhet për Kosovën nëse nuk bëhet fjalë për Thaçin, statusin, varfërinë. Nga ana tjetër, gazetarët e Kosovës janë goxha të ngathtë kur shkruajnë për serbët në Kosovë dhe zhvillimet në Serbi. Ata që dikur i frynë zjarrit të luftës tash janë profesorë të fakulteteve të Beogradit ose të Prishtinës ose këshilltarë politikanësh”, është shprehur Seferi.

Si shembull të praktikës e të bashkëpunimit të mirë të të rinjve nga Kosova e nga Serbia, Ana Dragiq prezantoi projektin e komunikimit të fotografëve nga Beogradi e Prishtina përmes sajtit “Face the reflection”, të realizuar me miqtë:

“Mediat po na informojnë në mënyrë selektive, të rinjtë në Beograd nuk e dinë si jetojnë moshatarët e tyre në Kosovë. Sajova projektin përmes të cilit dhjetë fotografë nga të dy qytetet të komunikojnë me punimet e tyre, pavarësisht se nuk njihen mes vete. Desha t’i lidhi artistët, por që edhe njerëzit përmes fotografisë të shohin më mirë realitetin në Beograd e Prishtinë”, ka thënë ajo.

“Serbët në Kosovë kanë më pak paragjykime ndaj shqiptarëve se sa serbët në Serbi, meqë njerëzit në Serbi janë të painformuar. Shqiptarët e rinj nga Prishtina, po ashtu janë shumë pak të informuar për atë se si jetojnë serbët në Graçanicë. Askush nuk përmend shembullin e Kamenicës (Dardanës) ku serbë e shqiptarë punojnë bashkë, ku janë kthyer më së shumti njerëz”, tha gazetarja Dragana Staniq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Graçanicë.