Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) dhe rrjeti i organizatave jo-qeveritare nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Kosova dhe Serbia, i bëjnë thirrje qeverive nga rajoni për tu angazhuar rreth krijimit të një Fondi Rajonal të Shkëmbimit. Kjo u tha në takimin aktivistëve të këtij rrjeti i cili u mbajt në Mal të Zi, më 31 tetor, 2010. Fondi Rajonal i Shkëmbimit do të shërbejë për të krijuar lidhje të reja ndërmjet të rinjve nga vendet e ish Jugosllavisë dhe do të inkurajojë shkëmbimin e të rinjve nga këto vende sipas modelit Franko-Gjerman.

YIHR-ja që nga themelimi i saj ka implementuar Programin e Shkëmbimit ndërmjet të rinjve, në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për rritjen e bashkëpunimit rajonal, duke u përqëndruar në veçanti tek të rinjtë nga Kosova dhe Serbia e poashtu edhe në vendet tjera ku ajo i shtrin veprimet e saj, duke e bërë këtë nëpërmjet projekteve të ndryshme kulturo-arsimore. Nëpër këtë program të YIHR-së deri më tani kanë kaluar mbi dy mijë të rinj. YIHR-ja mbetet e përkushtuar për krijimin e komunikimit ndërmjet gjeneratave të reja si dhe krijimin e Fondit Rajonal të Shkëmbimit.

YIHR beson se një fond i tillë do të kontribonte në largimin e paragjykimeve, do të përmirësonte bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet të rinjve nga rajoni, si dhe do të lehtësonte barrën e të kaluarës së afërt konfliktuale.

YIHR është themeluar prej të rinjve nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Kosova dhe Serbia, me qëllim të shtimit të pjesëmarrjes së të rinjve në demokratizimin e shoqërisë si dhe forcimin e sundimit të ligjit nëpërmjet procesit të ballafaqimit me të kaluarën, si dhe duke krijuar lidhje të reja e përparimtare në rajonin post-konfliktual të ish Jugosllavisë.