Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë ka dorëzuar ankesë në Këshillin e Mediave të shkruara ndaj gazetës “Express” për botimin e artikullit “Raporti Intim” në edicionin e datës 30 maj 2010 në të cilin shkrim nënvlerësohet puna e YIHR-së si dhe shpifet për motivet dhe metodologjinë e përdorur në raportin “Tkurrja e hapësirës publike” të autorit Alex Anderson i cili është publikuar nga YIHR më 24 maj 2010 duke aluduar se z. Anderson ka bërë shpifje në raportin e YIHR-së i prirur nga motive personale. Për më tepër, YIHR ka cilësuar se përdorimi i fotografisë private të z. Anderson në shkrimin e botuar të gazetës “Express” cilësohet si ndërhyrje në jetën intime të z. Anderson.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në takimin e mbajtur me 1 nëntor ka konstatuar se gazeta Express ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara duke mos raportuar drejtë për raportin e publikuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Në maj të këtij viti, YIHR ka publikuar raportin “Tkurrja e hapësirës publike”, raport për qeverisjen dhe lirinë e shprehjes në Kosovë. Pas këtij raporti, në gazetën e përditshme Express, është botuar artikulli i cili sipas Këshillit është cilësuar i njëanshëm.

Në komunikatën për media të Këshillit thuhet : “Këshilli Medieve të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e tij të sotme pasi shqyrtoi ankesën e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundër gazetës ‘Express” lidhur me artikullin “Raporti intim” që ka të bëjë me një hulumtim të kësaj OJQ-eje, rreth “kufizimit të hapësirës publike në Kosovë”, konstatoi se gazeta ‘Express” ka shkelur Kodin e Medieve të Shkruara, vetëm në kreun e dytë të Kodit të Medieve, pasi nuk ka përfshiu në artikull edhe qëndrimin e përpiluesit të këtij raporti z.Alex Anderson. Pikat tjera të ankesës që kanë të bëjnë me shkeljen e privatësisë, Këshilli konstatoi se nuk ekzistojnë pasi që fotoja e botuar në gazetë është marrë nga Facebook-u dhe se kjo nuk paraqet shkelje të privatësisë”.