Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Reagim mbi procesin e votimit të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, deri në momentin e votimit në Kuvend, krahasuar me herët e kaluara të cilat i paraprinë zgjedhjes së Avokatit aktual të Popullit, është përcjellë me përmirësime të dukshme në intervista të drejta dhe me shkallë më të lartë të transparencës së procesit në tërësi. Megjithatë, ky proces stagnoi në votimin plenar ku Kuvendi i Kosovës dështoi të siguroj një proces të shpejtë dhe të ligjshëm të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Më 19 mars 2014 Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i prezantoi Kuvendit listën e ngushtë të përbërë prej tre emrave që ishin zgjedhur si kandidatë potencial për pozitën e Avokatit të Popullit. Lista e përbërë nga Adriana Hoxhiq, Hilimi Jashari dhe Gjylieta Mushkolaj u hodh në votim. Në raundin e parë të votimit Adriana Hoxhiq u eliminua pasi që kishte marrë numrin më të vogël të votave. Kuvendi votoi prapë për dy të nominuarit e tjerë të cilët morën më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë znj. Mushkolaj mori 39 vota ndërsa z. Jashari mori 49 vota. Në këtë rast duke pasur parasysh që asnjeri nga kandidatët nuk mori numrin e kërkuar të votave, që është së paku 61 vota të deputetëve, Kuvendi përmbylli procesin e votimit sipas ligjit dhe vendosi për rishpalljen e konkursit për pozitën e Avokatit të Popullit .

Mirëpo, Kuvendi në fakt injoroi atë që thotë Ligji për Avokatin e Popullit, neni 9.2 i të cilit përcakton se Kuvendi duhet të zgjedhë Avokatin e Popullit brenda 30 ditëve. Fjala kyçe e përdorur këtu nuk është të votojë, por të zgjedhë. Më tutje i njejti vazhdon “Nëse ky afat nuk është arritur, Kuvendi i Republikës së Kosovës voton për zgjedhjen e Avokatit të Popullit në secilën seancë plenare për tridhjetë (30) ditë të tjera. Nëse Avokati i Popullit nuk zgjidhet brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve, Komisioni përkatës i Kuvendit përsëri do të shpallë konkurs për Avokat të Popullit”. Kështu që, duke pasur parasysh faktin që Kuvendi nuk arriti të zgjedh Avokatin e Popullit, votimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit do të duhej të vazhdonte në secilën seancë plenare për 30 ditë të tjera. Vetëm pasi të ketë kaluar afati prej 60 ditëve dhe Avokati i Popullit të mos jetë zgjedhur, Kuvendi do kishte bazë ligjore për të rishpallë konkursin për Avokatin e Popullit.

Në këtë rast, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) konsideron se procesi nuk është kryer sipas procedurave dhe në disa raste baza ligjore për atë që po ndodhte atë ditë në Kuvend nuk ishte e qartë. Sidoqoftë, shkeljet kryesore janë mbyllja e procesit të votimit para kohe dhe vendimi për rishpallje të konkursit. Prandaj, YIHR KS kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të rihapë procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit sa më shpejt që është e mundur duke evituar shkeljet dhe në përputhje me procedurat e tij të brendshme të rifilloj votimin sipas Ligjit për Avokatin e Popullit dhe Rregullores për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe të Zëvendësve të Avokatit të Popullit, deri në zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një leter të hapur e cila përmban një analizë tëdetajuar ligjore të YIHR KS si dhe transkriptin e mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 13, 14 dhe 19 mars 2014.

Me respekt,

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS)