Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten më 27 mars 2014, në përpjekje për të “përmirësuar” gabimet e bëra në seancën paraprake në të cilën u votuar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, vendosi të vazhdojë procesi i votimit të Avokatit të Popullit, proces ky i ndërprerë në mënyrë të paligjshme në seancën e 19 marsit 2014.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), ka mirëpritur një vendim të tillë dhe u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të kontribuojnë që ky proces të jetë i drejtë dhe i ligjshëm, konsideron se ajo çfarë ndodhi të enjten në Kuvend ishte e pakuptimtë dhe e kundërligjshme. Procesi që u zhvillua atë ditë, nuk kishte pothuajse asnjë dallim me atë të seancës së 19 marsit 2014, dhe përsëri u përcjell me paqartësi dhe shkelje të dispozitave ligjore.

YIHR KS ka reaguar duke bërë thirrje publike dhe duke iu drejtuar Kuvendit me letër të hapur , e cila përmbante një analizë të detajuar ligjore të situatës së krijuar. Mirëpo, reagimet dhe thirrjet tona për një proces të drejtë dhe të ligjshëm u injoruan plotësisht. Si rezultat Kuvendi i Republikës së Kosovës, edhe njëherë zhvilloi një proces të kundërligjshëm.

 

Prandaj, YIHR KS i bën thirrje Kuvendit që të vazhdojnë të votojë në secilën seancë për 30 ditë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, siç e thotë Ligji për Avokatin e Popullit në Nenin 9.2 dhe i cili ashtu edhe duhet të zbatohet. Sundimi i ligjit duhet të jetë njëri ndër pikësynimet kryesore të institucioneve tona. Andaj është absolutisht e papranueshme që Kuvendi i Kosovës tregon mospërfillje të plotë për ligjin të cilin vetë e ka miratuar.

Rishpallja e konkursit nga ana e Kuvendit përveç se e paligjshme, ajo poashtu nuk garanton që procesi i ardhshëm do të jetë i suksesshëm. Kjo duke pasur parasysh situatën e fundit të krijuar dhe përvojën e kaluar ku zgjedhja e Avokatit aktual të Popullit ndodhi pas katër konkurseve, kur Kuvendi nuk tregoi përgjegjësi dhe vullnet politik që të fuqizojë institucionin e Avokatit të Popoullit si institucion i vetëm i pavaruar i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
Me respekt,

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë (YIHR KS)