Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

9 shkurt, 2022

Komisioni për Ankesa i Odës së Avokatëve të Kosovës ka vërtetuar dënimin me gjobë prej 2 mijë e 500 euro ndaj avokatit Tomë Gashi lidhur me rastin e shkelmimit të gjësendeve të një personi që kërkonte lëmoshë në sheshin Nënë Tereza në shkurt të vitit 2020. Për këtë çështje, Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) kishte inicuar rast për hapjen e procedurës disiplinore në Odën e Avokatëve të Kosovës më 3 mars 2020.

YIHR KS kishte kërkuar nga Zyra e Prokurorit Disiplinor nisjen e procedurës së pavarur profesionale hetimore për avokatin Tomë Gashi, cilësimin e veprimit të avokatit si shkelje e rëndë disiplinore dhe shqiptimin e masës “humbje e të drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatisë për 4 vite”. Rasti ishte përcjellur në vazhdimësi duke u kontaktuar Oda e Avokatëve të Kosovës që lënda të trajtohej me urgjencë. 

Në qershor të 2021, ishte mbajtur shqyrtimi kryesor në Komisionin Disiplinor të Odës së Avokatëve të Kosovës ku YIHR KS kishte prezantuar faktet dhe bazën ligjore të paraqitura edhe në parashtresën e inicuar paraprakisht për rastin në fjalë. Kolegji Disiplinor i Odës kishte dalur me një vendim sipas të cilit e kishte shpallur përgjegjës Tomë Gashi duke e dënuar me dënim me gjobë.

YIHR KS  ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor mirëpo Komisioni për Ankesa i Odës së Avokatëve të Kosovës ndonëse ka kthyer lëndën në rivendosje, ka përjashtuar YIHR KS nga çështja disiplinore me arsyetimin se nuk ka interes juridik në çështjen në fjalë dhe nuk e prek drejtpërdrejtë sjellja e të paraqiturit, duke mos e bërë palë në procedurë. 

Me vendimin e datës 24.11.2021, Kolegji Disiplinor i Odës së Avokatëve ka shpallur avokatin Tomë Gashi përgjegjës pasi me datën 14 shkurt 2020 në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë ka ndërmarrë veprime jo etike kur ka shkelmuar lypsarin, si dhe kartonin me të hollat e tij, me çka ka kryer shkelje të rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë nga neni 119 të statutit të OAK-së, lidhur me nenin 8 të KEPA-s, sepse me këtë veprim ka cënuar autoritetin e avokatisë, vendim i cili është vërtetuar edhe nga Komisioni për Ankesa duke e hedhur poshtë ankesën e avokatit Tomë Gashi.  

YIHR KS ka bërë thirrje që trajtimi i duhur i këtij rasti është me rëndësi strategjike për shoqërinë tonë dhe komunitetet jo shumicë në përgjithësi dhe konsideron se dënimi me gjobë i shqiptuar ndaj avokatit Tomë Gashi nuk është i duhuri krahas shkeljes së bërë. Megjithatë, dënimi i shqiptuar mund të kontribuojë në mospërsërsëritjen e sjelljeve të tilla joetike të avokatëve dhe personave të tjerë publikë.  

Vendimi: https://bit.ly/3B9b9FW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *