Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

KOMUNIKATË PËR MEDIE

Manipulimi i viktimave dhe ndërhyrja në lirinë e medies

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) shpreh shqetësim të thellë lidhur me rrjedhën e debatit të përgjithshëm lidhur me viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Fillimisht, debati parlamentar lidhur me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, ka dhënë shembull të mosgatishmërisë institucionale që të drejtat e viktimave të trajtohen si të tilla para se të shihen si garë ndërpartiake.

Për më tepër, duke u bazuar në deklaratën e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Naser Osmani se “do të ishte shumë poshtëruese për popullin tim nëse bëhen gjëra të tilla, që për shkak të një dhunimi në luftë të merret pension”, YIHR KS rikujton se të qenit viktimë dhe realizimi i të drejtave të viktimave nuk është çështje turpi dhe se ky diskurs i debatit nga përfaqësuesit institucional i kontribuon edhe më tepër përforcimit të stigmës shoqërore ndaj viktimave të dhunës seksuale.

Përveç kësaj, YIHR KS si tejet shqetësuese i konsideron edhe rastet e kërcënimeve ndaj aktivistëve për të drejtat e njeriut, gazetarëve dhe gjithashtu ndërhyrjet në lirinë e medieve. Pas kërcënimit me vdekje të aktivistes për të drejtat e njeriut, znj. Nazlie Balaj, kërcënim ndaj jetës së familjarëve i drejtohen edhe gazetares së emisionit “Në Kërkim”, znj. Edita Curri. Ndërkaq, edhe më e papranueshme është ndërhyrja qeveritare në lirinë e medieve, me ç’rast përfaqësues qeveritarë ndërhyjnë në lirinë e gazetares Curri dhe njëkohësisht edhe të Radio Televizionit të Kosovës.

YIHR KS fton të gjithë përfaqësuesit institucional dhe partitë politike që çështjen e viktimave të dhunës seksuale dhe të gjitha viktimave tjera, ta trajtojnë me humanitet dhe të mos i japin ngjyrime partiake. Gjithashtu, YIHR KS rikujton Qeverinë e Republikës së Kosovës se ndërhyrja në lirinë e medieve, për çfarëdo arsye, është e papranueshme.