Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Diskriminimi në Kosovë është i ndaluar mbi katërmbëdhjetë baza duke përfshirë edhe diskriminimin në bazë të gjinisë. Kjo bazë është e përfshirë në Ligjin Kundër Diskriminimit të vitit 2004 dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e barazisë dhe të mos diskriminimit.

Përveç kësaj, konventat ndërkombëtare siç janë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) dhe Konventa për Mënjanimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas (CEDAW), të cilat janë drejtpërdrejtë të aplikueshme në Kosovë, e ndalojnë një diskriminim të tillë. Më tutje, aplikimi i instrumenteve të tilla kërkon nga institucionet qeverisëse që të sigurohen se diskriminimi po adresohet në mënyrë të duhur posaçërisht nëse ekziston kultura e diskriminimit gjinor, si dhe të përmbahen nga çdo diskriminim ndaj qytetarëve.

Pavarësisht kësaj kornize ligjore, diskriminimi dhe posaçërisht ai në baza gjinore mbetet një fakt jetësor në Kosovë. Raporti gjithëpërfshirës nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë mbi implementimin e Ligjit Kundër Diskriminimit 2004 ka gjetur mungesa sistematike në implementimin e tij, si dhe hapësira brenda vetë ligjit.

Së fundmi, autoriteti më i lartë legjislativ në Kosovë, Kuvendi, nëpërmjet veprimeve të veta dhe të deputetëve ka dëshmuar pikërisht kulturën e diskriminimit gjinor e cila vazhdon të ekzistojë në Kosovë. Përveç kësaj, veprimet e tilla poashtu tregojnë shpërfillje të plotë të rendit kushtetues, obligimeve ndërkombëtare dhe kornizës ligjore, në të cilat Kuvendi ka kontribuar në lidhje me diskriminimin dhe posaçërisht me atë gjinor.

Në mënyrë të ngjashme, organet e arsimit publik siç është Universiteti i Prishtinës nëpërmjet shpalljeve të tyre publike tregojnë kulturën diskriminuese gjinore e cila ekziston brenda këtij institucioni.

Ne dënojmë këtë kulturë të diskriminimit gjinor, shpërfilljen e treguar nga institucionet për ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat e ndalojnë këtë diskriminim. Përveç kësaj, ua rikujtojmë institucioneve qeverisëse se janë të obliguara që të përmbahen nga diskriminimi në bazë gjinore dhe në momentin që ky diskriminim ndodh të ndërmarrin hapat e nevojshëm me prioritet. Sa i përket Kuvendit të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës, do të bëjmë përfaqësime individuale ne lidhje me incidentet dhe do të kërkojmë ndërmarrjen e masave të duhura sa më shpejt që është e mundur.