Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Viti 2014 filloi me një proces shumë të rëndësishëm, për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Duke pasur parasysh procesin e tejzgjatur dhe shumë të politizuar të përzgjedhjes së Avokatit aktual të Popullit, i cili u zgjodh vetëm pas pesë raundeve të votimit në Kuvend, në këtë rast YIHR KS kërkon transparencë të plotë të këtij procesi.

Pavarësisht faktit që YIHR KS është ftuar për të monitoruar procesin nga brenda, të cilën gjë YIHR KS e vlerëson, YIHR KS poashtu ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. YIHR KS ka kërkuar që aplikacionet e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Avokatit të Popullit të bëhen publike, kërkesë kjo e cila është refuzuar me arsyetimin se dokumentet e tilla nuk janë publike, se është detyrim i Kuvendit që të mbrojë të dhënat personale dhe faktin që YIHR KS është duke e bërë monitorimin e këtij procesi nga brenda.

Në përgjigje të këtij refuzimi të paqëndrueshëm, YIHR KS ka bërë plotësimin e kërkesës fillestare. Më konkretisht, YIHR KS ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka për obligim të respektojë të dy Ligjet (Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale), dhe se është poashtu detyrë e Kuvendit që të arrijë një balancim në mes të drejtës së YIHR KS për të pasur qasje në informata (liria e shprehjes) dhe të drejtës së kandidatëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Andaj, YIHR KS ka detajuar kërkesën e saj duke kërkuar vetëm të dhënat mbi edukimin dhe përvojën e punës të secilit kandidat. Duke pasur parasysh se ky proces ka për qëllim zgjedhjen e personit i cili do të udhëheqë institucionin e vetëm të pavarur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, është në interesin publik që të sigurohet qasja në këto informata dhe në mënyrë që të sigurohet transparenca e plotë e të gjithë procesit, duke reduktuar kështu rrezikun që ky proces të politizohet edhe kësaj radhe.

Për më shumë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Agjencia), ka dhënë një opinion më 27 prill 2013 në përgjigje të kërkesës së BIRN-it, lidhur me të dhënat për edukimin dhe përvojën e punës së kandidatëve të cilët kishin aplikuar për pozitën e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Në këtë rast , Agjencia kishte këshilluar Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport se këto informata ishin në interesin publik, andaj emrat, edukimi, përvoja e punës dhe aftësitë e kandidatëve duhej të bëheshin publike, dhe se ky veprim nuk binte në kundërshtim me obligimin e këtij institucioni për të mbrojtur të dhënat personale.

YIHR KS dëshiron të ritheksojë së të dhënat e kërkuara janë esenciale për realizimin e së drejtës për të marrë dhe shpërndarë informata të garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (neni 40). Në këtë rast, kjo e drejtë nuk mund të zëvendësohet me prezencën e YIHR KS-së në monitorimin e panelit përgjegjës, duke pasur parasysh faktin se këto seanca janë të mbyllura dhe informatat e caktuara të përdorura nga deputetët nuk mund të ndahen me publikun e gjerë. Për më tepër, është mëse e rëndësishme që publiku të jetë i informuar për kualifikimet e të gjithë kandidatëve dhe kështu të mundësohet që procesi të jetë transparent dhe të reduktohet rreziku i politizimit të tij.

Andaj, YIHR KS e fton Kuvendin e Kosovës që të dhënat e kërkuara t’i japë sa më shpejt të jetë e mundur. Në rast se ata nuk janë në dijeni të plotë rreth obligimeve të tyre ligjore, YIHR KS kërkon nga Kuvendi që të kërkoj një opinion nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në lidhje me kërkesën e parashtruar. YIHR KS kërkon që kërkesa e saj për qasje në dokumente publike të trajtohet seriozisht dhe në mënyrë sa më të shpejtë, për shkak të rëndësisë kohore, posaçërisht duke pasur parasysh faktin se procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit është duke ecur përpara. Në rast se kërkesa e YIHR KS dhe kjo thirrje për transparencë nuk përfillen, YIHR KS do të kontaktojë me secilin kandidat që ka aplikuar, në mënyrë që të kërkojë prej tyre lejen për të publikuar të dhënat e tyre. Përfundimisht, është e rëndësishme të mos harrojmë se përderisa deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, është poashtu e rëndësishme të mos harrojmë që roli i tyre është që t’i shërbejnë interesit të qytetarëve dhe jo partive politike.