Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë dënon gjuhën e përdorur ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në kuadër të audioinçizimeve të publikuara nga portali online Insajderi.

Shprehjet e përdorura në bisedën e publikuar me 15.08.2016 ndërmjet në atë kohë shefit të grupit parlamentar, z. Adem Grabovci-t dhe z. Kadri Veselit, atë të publikuar me 16.08.2016 ndërmjet z. Adem Grabovcit dhe z. Shaip Mujës, gjithashtu edhe bisedën midis z. Adem Grabovcit dhe znj. Safete Hadergjonaj, i publikuara me datën 31.08.2016, përmbajnë gjuhë aspak profesionale dhe denigruese. Duke marrë parasysh se deputetët janë figura publike me ndikim në ndryshime shoqërore dhe politike, ata duhet të përmbahen në gjuhën që përdorin si në diskursin publik ashtu dhe në jetën private.

Në bisedën e tyre fjalët si “magjup”, “gabel”, “shkije” dhe “peder” të cilat iu referohen komuniteve të margjinalizuara në Kosovë e në veçanti komunitetit rom, ashkali, egjiptas, serb dhe LGBTI janë dëshmi për ekzistimin e paragjykimeve dhe urrejtjes që këta deputetë kanë për këto komunitete. Për më shumë vërtetojnë diskriminimin sistematik dhe gjuhën stigmatizuese me të cilën këto komunitete ballafaqohen çdo ditë, dhe janë në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me përgjegjësitë kushtetutese dhe ligjore që ata kanë si deputetë. Më saktësisht këta deputetë kanë vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre kushtetutese, përkatësisht nenit 70 pra të jenë përfaqësues të popullit, detyrat ligjore përkatësisht neni 3 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësite e Deputetit, ku thuhet se: “Deputeti ushtron detyrat e tij në pajtim me dispozitat kushtetutese, ligjin dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit” si dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, përkatësisht betimin e tyre si deputetë “për të punuar në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj…për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut…”

Ne jemi të mendimit se përfaqësimi i qytetarëve nënkupton përfaqësim të njejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh racën, ngjyrën, gjininë, gjuhën, fenë, mendimet politike ose të tjera, prejardhjen kombëtare a shoqërore, lidhjen me ndonjë komunitet, pronë, gjendjen ekonomike, sociale, orientimin seksual, lindjen, aftësinë e kufizuar ose ndonjë status tjetër personal.

Gjithashtu, është tejet shqetësuese për një vend me sistem demokratik që komunitetet jo shumicë të shihen vetëm si mjet i realizimit të qëllimeve të shumicës dhe jo si përfaqësues të anëtarëve të barabartë të shoqërisë me ndihmën e të cilëve mund të realizohet integrimi i plotë i shoqërisë.

Ne insistojmë që të gjithë personat të cilët mbajnë pozita publike duhet të kenë integritet të lartë etik dhe moral, në mënyrë që të gëzojnë besimin qytetar në përfaqësimin e interesave të tyre. Në momentin kur këta persona nuk u përmbahen këtyre parimeve nuk duhet të gëzojnë më tutje pozitën e përfaqësuesit dhe mbrojtësit të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët.