Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

300 euro gjobë për dhunë fizike ndaj gruas!

Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal me gjyqtare Snežana Mihajlović në vendimin me numër P.nr.287/21 ka shqiptuar dënim me gjobë prej 300 euro dhe e ka cilësuar veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndaj të pandehurit i cili ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

Sipas nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që personit tjetër i shkakton lëndim të lehtë trupor, i cili rezulton në: dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”. Megjithatë, paragrafi 3 i po këtij neni thekson se ”kur vepra penale nga ky nen kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas…gjinisë…kryesi dënohet me:  3.1. burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet..”

Pra, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosoves, aktakuzës dhe fakteve të rastit në fjalë, vlerësojmë se Gjykata Themelore në Gjilan ka dështuar në dhënien e një denimi meritor për një vepër të tillë. Dënimi minimal për këtë vepër do të duhej të ishte 6 muaj burgim. Ndër të tjera, për shqiptimin e denimit Gjykata Themelore në Gjilan nuk ka marrë parasysh asnjërën nga rrethanat rënduese të rastit, të potencuara edhe në aktakuzë.

Dënimi skandaloz me 300 euro gjobë vetëm sa e legjitimon dhunën në familje e posaqërisht ndaj grave si një ndër grupet më të shtypura në shoqëri. Gjithashtu, dënime të tilla ndikojnë negativisht në besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë si dhe i dekurajojnë viktimat për raportimin e rasteve të dhunës në familje.

YIHR KS u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet dhe në përputhje me ligjin rastet e dhunës ne familje dhe kryersëve të veprave të tilla t’iu shqiptojnë dënime meritore.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të analizojë këtë rast dhe të funksionalizojë mekanizmat e saj në lidhje me rastet ku gjyqtarët nuk ushtrojnë detyrën e tyre përkitazi me legjislacionin në fuqi si dhe të ndërmarrë te gjitha veprimet e duhura drejt parandalimit te krimeve te tilla.

Ky rast është identifikuar pas kerkesës për qasje në dokumente publike nga monitoruesit/et e YIHR KS nëpër gjykatat themelore në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *