Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Thirrje për Aplikim

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR në Kosovë), me përkrahjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, Ambasadës së Mbretërisë së Holandës dhe Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur shpallë konkurs për SHKOLLËN e parë PËR LIDER TË RINJ, e cila do të mbahet nga Tetori deri në Dhjetor 2010, në Prishtinë, Kosovë. Shkolla do të ofroj ligjërata nga ekspertë të fushave përkatëse, diskutime përmbajtjesore, punëtori për tema të caktuara, aktivitete sociale dhe kulturore, dhe vizita studimore.

Rreth Shkollës

Shkolla për Lider të Rinj është pjesë e Programit të Edukimit të YIHR-së në Kosovë i cili synon të zhvilloj kapacitetet e të menduarit kritik tek gjeneratat e reja në lidhje me konceptet sociale, politike dhe kulturore; t’iu ofroj mundësinë studentëve që të marrin njohuri dhe të kuptojnë politikat demokratike dhe të zhvilloj aftësitë praktike të studentëve, të nevojshme për zbatimin e një programi progresiv në jetën profesionale apo në aktivitete tjera sociale.
Shkolla do të mbahet nga Tetori deri në Dhjetor 2010. Klasat do të zgjasin 2 orë në ditë (17:30 – 19:30) dhe do të mbahen 3 ditë në javë (Marte – Enjte).

Kush mund të aplikojë?

Të rinjtë dhe studentët ndërmjet 18 dhe 25 vjeç të interesuar në fushat e të drejtave të njeriut, diversitetit, drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën; aktivistë të të drejtave të njeriut; të rinj të interesuar në sektorë si: politikë, media, shoqëri civile dhe fusha të tjera me ndikim.
Kandidatët duhet të kenë njohuri të shkëlqyeshme verbale dhe në të shkruar të gjuhës Angleze.

Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes

Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë aplikacionin e Shkollës të cilin mund ta shkarkoni këtu, dhe së bashku me një CV dhe një letër motivim në gjuhën Angleze ta dërgojnë në apply@yihr.org, duke shënuar “Young Leaders School 2010” si subjekt të e-mailit. Vetëm kandidatët të cilët i plotësojnë kushtet do të kontaktohen.

Afati i fundit për aplikim: 3 Tetor 2010