Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

20 të rinj nga Kosova, të cilët kanë shfaqur interesim dhe potencial për lidership në sektorët si: politikë, drejtësi, media, të drejta të njeriut, diplomaci dhe shoqëri civile, janë duke ndjekur Shkollën e parë për Lider të Rinj, organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Shkolla për Lider të Rinj është pjesë e Programit të Edukimit të Nismës në Kosovë i cili synon:

– të zhvilloj kapacitetet e të menduarit kritik tek gjeneratat e reja në lidhje me konceptet sociale, politike dhe kulturore;
– t’iu ofroj mundësinë studentëve që të marrin njohuri dhe të kuptojnë politikat demokratike; dhe
– të zhvilloj aftësitë praktike të studentëve, të nevojshme për zbatimin e një programi progresiv në jetën profesionale apo në aktivitete tjera sociale.

Kjo Shkollë ka për qëllim që përmes ligjëratave, diskutimeve përmbajtësore, aktiviteteve kulturore dhe vizitave studimore, të ofroj mundësi për të rinjtë, studentët, aktivistët e të drejtave të njeriut, dhe aktivistët e OJQ-ve që të marrin njohuri dhe të kuptojnë më në hollësi çështjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova aktualisht.

Programi i Shkollës për Lider të Rinj përmban 6 module:

1. Të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia
2. Sundimi i së Drejtës dhe Drejtësia Tranzicionale
3. Demokracia Pjesëmarrëse
4. Stereotipet dhe Paragjykimet: Ndikimi i Medias
5. Kombi, Nacionalizmi dhe Identiteti
6. Integrimet Evropiane: Vlerat

Shkolla e parë për Lider të Rinj ka filluar më 12 Tetor 2010 dhe do të zgjas deri në Dhjetor 2010. Klasat zgjasin 2 orë në ditë (17:30 – 19:30) dhe mbahen 3 ditë në javë (Marte – Enjte).

Projekti mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci (BTD), Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).