Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë), shprehin shqetësimin ndaj kërcënimit që i është bërë znj. Nazlie Balaj e cila njihet si njëra ndër avokueset më të zëshme për të drejtat e njeriut e në veçanti njohjen e statusit si kategori e veçantë për personat ndaj të cilëve është shkaktuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Aktet e tilla kriminale pengojnë krijimin e ambientit e duhur për këtë kategori të shoqërisë, që lirshëm të dalin në publik apo të paraqiten në institucionet përkatëse që është parakusht për fillimin e implementimit të ligjit të miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës më 14.03.2013.

FDH Kosovë dhe YIHR Kosovë bëjnë thirrje policisë së Kosovës që ti ndërmerr të gjitha masat në mënyrë që të kapet kryerësit e këtij akti dhe të përgjigjen para drejtësisë. Zbardhja e këtij rasti do të ndikonin që rastet e tilla të parandalohen në të ardhmen.

FDH Kosovë dhe YIHR Kosovë rikujtojnë se më 20 mars 2013, pas paraqitjes në emisionin e RTK-së “Në kërkim” ku tema e trajtuar ka pasur të bëjë me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, znj. Nazlie Balaj, ka marrë një letër kërcënuese në derën e banesës së saj, ku i thuhet “të mos mbrojë turpin, se e pret plumbi”.