Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Kosovë shprehin shqetësimin për vrasjen e qytetarit serb nga Hoça e Madhe, komuna e Rahovecit, Aca Putnik (51) dhe plagosjen e djalit të tij Dobrica Putnik (23), në mëngjesin e 2 tetorit. Duke pasur parasysh që viteve të fundit siguria në komunën e Rahovecit ka qenë në nivel të kënaqshëm, ky incident ka ndikuar në rritjen e ndjenjes së pasigurisë tek komuniteti serb që jeton në këtë komunë.

Sipas vajzës së viktimës, Daliborka Putnik, i ati dhe vëllai i saj nuk kanë pasur ndonjë konflikt në të kaluarën me ndonjë person dhe kanë lëvizur lirishëm. “I ati dhe vëllai, dolën nga shtëpia pas orës 23:00. Diku rreth orës 03:00 pas mesnate disa fqinj më lajmëruan për incidentin e ndodhur”, deklaroi e bija e viktimës. Sipas të dhënave jozyrtare që FDH Kosovë posedon, të lartpërmendurit ishin në gjendje të dehur në kafenenë “Burimi” i cili gjendet në fshatin Xërxe dhe pas daljes nga lokali persona ende të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në ta. Me këtë rast u godit për vdekje Aca Putnik dhe u plagos biri i tij Dobrica Putnik.

FDH në Kosovë dhe YIHR në Kosovë iu bëjnë thirrje organeve të ndjekjes dhe të drejtësisë që të hulumtojnë rastin në fjalë dhe kryerësit e këtij krimi të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.