Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) Kosovë shprehin shqetësimin për dëmtimin e varrezave ortodokse serbe në Kllokot, Plemetin, Milloshevë dhe dëmtimin me armë zjarri të pllakës përkujtimore në fshatin Gorazhdevc, të cilat ndodhën mbrëmë natën në mes 20 dhe 21 janarit të vitit 2013 vetëm 24 orë pas largimit të përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, nga ana e forcave policore serbe.

Aktet e fundit të vandalizmit mbi varrezat ortodokse serbe dhe objektet tjera të kultit kanë rritur ndjenjën e pasigurisë tek banorët serb si dhe mund të nxisin edhe më tej tensione në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. “Pas dëmtimit të varrezave ndihemi të pasigurt, mirëpo mbi të gjitha ndjejmë keqardhje për familjarët, varrezat e të cilëve janë dëmtuar. Ekziston frika se mund të përsëriten sulme të tilla”, deklaron për FDH Kosovë, Aleksandar Periq banor nga komuna e Kllokotit. FDH Kosovë dhe YIHR Kosovë vlerësojnë se këto akte mund të kenë pasoja shumë serioze në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, të cilat edhe ashtu janë të brishta.

FDH Kosovë dhe YIHR Kosovë kërkojnë nga organet e rendit dhe të ndjekjes që të ndërmarrin të gjitha veprimet në përputhje me kompetencat e tyre në mënyrë që të garantojnë mbrojtjen e varrezave ortodokse serbe dhe që kryerësit e këtyre veprave të shëmtuara të arrestohen, të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.