Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës aprovon ankesën e YIHR KS kundër “Indeksonline”
Ankesa e dorëzuar nga YIHR KS kundër “Indeksonline”, me datë 24 janar 2023, kishte të bënte me publikimin e lajmit “Ekskluzive: Gjendja shëndetësore e Gjon Karricës, i ndodh e papritura”, artikull ky i cili përbënte shkelje të së drejtës së privatësië dhe mbrojtjen e informacionit personal, e drejtë e garantuar me nenin 36 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 8 të Konventes Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
KMSHK ka konstatuar se artikulli në fjalë është në kundërshtim me Kapitullin VII të Kodit të Mediave të Shkruara. Tutje, në përgjigjen në ankesë, KMSHK thekson se ky shkrim ndërhyn në jetën private të personit pavarësisht se i njëjti është figurë publike dhe gjurmimi në jetën e tij personale e aq më tepër në çështjet që kanë të bëjnë me ndonjë sëmundje apo shpërfaqja e saj në publik, cilësohet si shkelje e të dhënave personale dhe ndërhyrje në privatësi.
YIHR KS beson që ky vendim i KMSHK-së është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të gazetarisë së përgjegjshme dhe profesionale në Kosovë. Për më tëpër, ky vendim duhet të shërbej si thirrje për mediat në Kosovë që në raportimet e tyre, të jenë përputhje të plotë me parimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.