Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Mbrojtja e të drejtave të njeriut është një pjesë qenësore brenda sistemit të drejtësisë penale. Kjo është e rëndësishme në dy aspekte: së pari, për të siguruar mbrojtje dhe zhdëmtim për viktimat dhe së dyti, për të ofruar gjykime të drejta për të pandehurit.

Në ndryshimin e Kodit Penal, Kosova kishte një mundësi tepër të rëndësishme për të miratuar ndryshime të cilat integrojnë perspektivën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë përvojat më të mira si dhe duke siguruar pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare, siç kërkohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në vazhdën e kësaj, YIHR KS i mirëpret ndryshimet e bëra në lidhje me shpifjet, që tash e tutje do të jenë shkelje civile pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Megjithatë, fatkeqësisht ky proces ndryshimi nuk ka përfshirë plotësisht perspektivën e të drejtave të njeriut ose respektuar elementet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare.

Sa i përket lirisë së shprehjes, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë treguar mospërfillje të plotë për këtë të drejtë, e cila është e mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare të cilat janë drejtpërdrejtë të aplikueshme. Si rezultat i neglizhencës së tyre, është shkaktuar konfuzion i madh dhe është krijuar sistem paralel me dispozitat duke lejuar vazhdimësinë e përgjegjësinë penale të redaktorëve, botuesve, shtypshkronjësve e prodhuesve (Neni 37 të Kodit Penal). Kjo është krejtësisht e papranueshme pasi që në mënyrë të drejtpërdrejtë shkel lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit, të parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (Neni 40 dhe Neni 42). Për më tepër, bazat dhe kufijtë e sanksioneve penale (Neni 1) dhe parimi i ligjshmërisë (Neni 2) në kuadër të Kodit Penal, janë shkelur pasi që nuk është e vendosur për cilat vepra penale bëhet fjalë kur një redaktor, botues, shtypshkronjës apo prodhues është përgjegjës penalisht sipas Nenit 37. Ndërsa sa i përket Nenit 38, është gjithashtu e papranueshme që zbulimi i informatave është i domosdoshëm për të parandaluar vepra të caktuara të rënda penale. Kjo është plotësisht në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të cilat janë të zbatueshme në Kosovë dhe si rezultat kjo nuk mund të justifikohet.

Në përgjithësi ky regjim juridik do të vazhdojnë të pengojnë shumë punën e gazetarëve, të cilët luajnë rol shumë të rëndësishëm në një shoqëri demokratike për informimin publik në lidhje me çështjet me rëndësi publike, pa ndërhyrjen e qeverisë

Çështjet tjera të rëndësishme janë veprat penale të lëndimeve të lehta dhe të rënda trupore (Nenet 187 dhe 188), të cilat mund të përbëjnë krime të urrejtjes. Megjithatë, përkundër procesit të ndryshimit, për fat të keq, nuk janë përfshirë veçoritë e mbrojtura të racës, kombësisë, fesë, gjinisë, orientimit seksual dhe paaftësisë për të përbërë një krimt të urrejtjes. Ngjajshëm, dispozitat që përcaktojnë nxitjen e “urrejtjes nacionale, racore, fetare ose etnike’ (Neni 146), prap për fat të keq nuk përvijshnë në mënyrë specifike nxitjen e urrejtjes në bazë të orientimit seksual.

Nga perspektiva gjinore, vepra penale e vrasjes së foshnjës (infanticidi) nuk është mjaft e qartë, që në rrethana të caktuara mund të bëjë një të pandehur femër të akuzohet për këtë vepër penale më të lehtë, në vend se të akuzohet për vrasje (Neni 181). Përveç kësaj dhe për fatin më të keq, Kodi Penal i miratuar së fundmi nuk e sanksionon përdhunimin bashkëshortor, që përbën një shqetësim të madh (Neni 229).

YIHR KS është jashtëzakonisht e zhgënjyer lidhur me dispozitat e mësipërme, sidomos që Neni 37 dhe 38 (paragrafi 2.2) nuk janë të nevojshëm në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Si rezultat, YIHR KS iu bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të adresojnë me urgjencë të gjitha çështjet dhe të përfshijnë të gjithë ata që janë pjesë e procesit për të siguruar ndryshime efektive.