Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) shpreh shqetësimin e saj në lidhje me incidentet e fundit të vandalizmit me grafite, cak i së cilave janë minoritetet etnike dhe kërkon hetim të këtyre rasteve.

Kohët e fundit janë identifikuar dy grafite në mure të shtëpive të cilat përmbajnë mesazhe shqetësuese dhe diskriminuese duke bërë thirrje për vrasje dhe likuidim të serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Grafiti i cili gjendet në muret e një ndërtese në Ferizaj përmban mesazhin “vdekje magjupëve”. Ndërsa, ai në Rahovec përveç mesazheve fyese përmban edhe vizatime të skenave të krimit.

YIHR KS dënon këto veprime dhe u bën thirrje autoriteteve përkatëse që të hapin hetimet në lidhje me këto incidente, dhe incidente të tjera të motivuara nga urrejtja, dhe kryerësit e tyre të vihen para drejtësisë. Dështimi i organeve përkatëse për të bërë një hetim të plotë dhe efikas, zbehë besimin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në organet e drejtësisë dhe u krijon atyre ndjenjën e pasigurisë si dhe u dërgon atyre mesazhin se ata nuk janë pjesë e çmueshme dhe e barabartë e shoqërisë tonë Në të njëjtën kohë thirrjet e tilla mund të nxisin popullatën për veprime të ngjashme apo për veprime tjera të cilat mund të rrezikojnë rëndë mirëqenien e anëtarëve të këtyre komuniteteve.

Nxitja e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike në Kosovë është vepër penale dhe e ndëshkueshme me Kodin Penal të Kosovës (neni 147) dhe në kundërshtim me parimet mbi të cilat shteti jonë është krijuar. Parandalimi i akteve të tilla dhe ndëshkimi i përgjegjësve janë të rëndësishme për viktimat dhe tërë shoqërinë tonë.

YIHR KS në fillim të këtij viti ka publikuar një raport i cili ka adresuar gjuhën e urrejtjes në komentet e portaleve online nga ku shihet që këto grupe janë më të prekurat nga gjuha e urrejtjes. Aktet e fundit të vandalizmit dëshmojnë një përkeqësim të situatës dhe meriton vëmendje prioritare nga ana e autoriteteve përkatëse sepse një situatë e tillë shkon në dëm të shoqërisë në përgjithësi.

Me respekt,
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë