Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Ne, organizatat e poshtëshënuara, me anë të këtij reagimi shprehim shqetësimin tonë të thellë ndaj veprimeve të fundit të Operatorit Kabllor IPKO (pjesë e Telekom Slovenije), me ç‟rast ky i fundit, me datë 11 Prill 2013, zhvendosi transmetuesin me frekuencë nacionale Kohavision (KTV) nga kanali 3 në platformën e tij kabllore në kanalin 83, si formë hakmarrje dhe censurimi ndaj raportimit të lirë dhe të pavarur të medias. Rrjedhimisht, me datë 12 Prill 2013, Komisioni i Pavarur për Media vendosi, ndër të tjera, se „…me këtë veprim IPKO ka bërë shkelje, ngase nuk ka respektuar Kushtet dhe Termet e Përgjithshme të Licencës së KPM-së, përkatësisht Nenin 2- Dispozitat për veprimtarinë – paragrafin 2.1.5…‟, të lirive dhe të drejtave të garantuar me Kushtetutë dhe ligje, si dhe kërkoj nga IPKO që „…televizionin nacional KTV ta kthej në pozicionin rendor me numrin tre (3) të platformës së tij kabllore.‟1 Deri më sot, vendimi i Komisionit të Pavarur për Media nuk është zbatuar nga Operatori Kabllor IPKO dhe, për më tepër, si i tillë është shpërfillur nga institucionet përgjegjëse. Në të njëjtën kohë, transmetuesi me frekuencë nacionale KTV po vazhdon të përballet me shkeljen e vazhdueshme të lirisë së medias të garantuar me Kushtetutë dhe ligje.

Ne jemi të bindur që këto veprime janë formë e censurimit të medias në Kosovë, dhe për më tepër, janë shprehje e hakmarrjes ndaj raportimit të lirë dhe të pavarur të Kohavisionit dhe Kohës Ditore ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve publike.

Njëlloj, veprimet e operatorit kabllor IPKO dhe mungesa e përkushtimit të Komisionit të Pavarur për Media që të rivendos gjendjen sipas vendimit të dhënë, përbëjnë pengesë të vazhdueshme që mediat dhe qytetarët e Kosovës të gëzojnë lirinë e shprehjes, e cila garanton, ndër të tjera, që këta të fundit të pranojnë dhe shpërndajnë informata të drejta dhe të bazuara në hulumtime të pavarura. Në veçanti, këto veprime janë në kundërshtim me natyrën dhe qëllimin e lirisë së medieve, e cila garanton që mediat të bartin misionin e tyre nëpërmjet shpërndarjes dhe raportimit të ngjarjeve që ka si subjekt cilindo subjekt privat apo institucion publik, pa asnjë pengesë ose apo kufizim.

Duhet thënë që veprimet e Operatorit Kabllor IPKO dhe mungesa e vullnetit të Komisionit të Pavarur për Media për të shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore për të vënë në zbatim, kohë e më parë, vendimin e dhënë, ndër të tjera, pengon qytetarët e Kosovës të servohen me informacione dhe raportime të pavarura. Për më tepër, veprimet e tilla, vënë në rrezik të vazhdueshëm rrjedhën e lirë të informacionit në një shoqëri të hapur dhe demokratike dhe mund të shërbejnë si precedent të rrezikshëm cenzure për të gjitha mediat tjera në Kosovë. Duhet thënë që në rastin kur rrjedha e lirë e informacionit pengohet, diçka shumë më e madhe sesa një veprim teknik i zhvendosjes së kanalit nacional është në shprehje.

Liria e shprehjes dhe medieve qëndrojnë si parime udhëheqëse të sistemit kushtetues të Kosovës, dhe si të tilla, jo vetëm veprimet e institucioneve publike por edhe subjekteve private të veshura me autoritet publik nuk mund të lëkundin apo rrezikojnë qenësinë e lirive të garantuara. Këto veprime të panevojshme në vazhdimësi po pengojnë të ardhmen Evropiane të Kosovës.

Kompanitë e fuqishme dhe operatorët kabllor (siç është edhe IPKO) kanë shumë mënyra për të abuzuar me lirinë e shprehjes, dhe për ta drejtuar informacionin atje ku ato duan. Sidomos në rastet kur këto kompani lidhen ngushtë me një interes apo opsion politik atëherë fuqia e tyre financiare, e instrumentalizuar nëpërmjet kontratave të marketingut me gazetat dhe televizionet, mund të krijoj një pejsazh medial aspak të këndshëm dhe sigurisht jo demokratik.

Andaj, si anëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë të Kosovës i bëjmë thirrje Komisionit të Pavarur për Media, Kuvendit të Kosovës dhe të gjitha institucioneve gjegjëse të marrin të gjitha veprimet e nevojshme që së pari të ndalin shkeljen e tilla, dhe së dyti, të rregullojnë sferën e operatoreve kabllore duke përcaktuar rregullat dhe parimet të cilat duhet të udhëheqin punën e këtyre të fundit. Për aq kohë sa institucionet e Kosovës besojnë në vlerën që liria e mediave ka në Kosovë, kërkojmë që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar lirinë e shprehjes dhe medieve në Kosovë duke e zbatuar transmetuesin nacional Kohavizion në pozitën e mëparshme të Operatorit Kabllor IPKO. Dhe të njëjtën kohë, kërkojmë nga tërë operatorët kabllor në Kosovë të mos abuzojnë me licencën e tyre sidomos duke ndryshuar rregullat e operimit të tyre në dëm të medieve dhe konsumatorëve.

Me datë 19 Prill 2013, (e Premte), në orën 10:30 organizatat e poshtëshënuara do të mbajnë një Konference për Media dhe të shprehin shqetësimet e dhëna. Konferenca per Media do të mbahet në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, rr. “Nëna Terezë”, nr.16, Prishtinë (Perballë Kino ABC). Për këtë të fundit do ju njoftojmë me një Komunikatë të veçantë.

Sinqerisht,

Lista e organizatave të shoqërisë civile nënshkruese të reagimit (sipas renditjes alfabetike):

1. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, AGKP;
2. Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, AMPEK;
3. Advocacy Training and Resource Center, ATRC;
4. Community Building Mitrovica, CBM;
5. DokuFest;

6. Fondacioni i Kosovës për Shoqëri te Hapur, KFOS;
7. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KCSF;
8. Forumi për Iniciativa Qytetare, FIQ;
9. Grupi për Studime Juridike dhe Politike, GLPS;
10. Iniciativa për Progres, INPO;

11. Instituti Demokraci për Zhvillim, D4D;
12. Instituti Demokratik i Kosovës, KDI;
13. Instituti i Prishtinës për Studime Politike, PIPS;
14. Instituti Kosovar i Paqes, KIP;
15. Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP;

16. Instituti për Studime të Avancuara GAP;
17. Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED;
18. Këshilli i Kosovës për Marrëdhënie me Jashtë;
19. Klubi për Politikë të Jashtme, KPJ;
20. Kosovo 2.0;

21. Lëvizja FOL;
22. National Analysis Center for European Law, NACEL;
23. Network of Peace Movement, NOPM;
24. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR;
25. Organizata ÇOHU;

26. Qendra Kosovare për Studime Gjinore, QKSGJ;
27. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS;
28. Qendra për Politika dhe Avokim, QPA;
29. Rrjeti Ballkani për Gazetari Hulumtuese, BIRN;
30. Rrjeti i Grupeve te Grave te Kosovës;

31. Saferworld;
32. Syri i Vizionit;
33. Qendra Nacionale e Vëzhguesve të Kosovës, QNVK, Mirtovice;
34. Organizata ZANA, Klinë;
35. Organizata Me dorë në Zemër, Mitrovice;

36. Organizata Prehja, Skënderaj;
37. Organizata Mundesia – Mitrovice;
38. Organizata Alma- Peje;
39. Qendra e Shoqërisë Civile, QSHC, Gjakovë;
40. Organizata NORTH FUTURE, Mitrovice.

///

1 Shih Komisioni i Pavarur i Media, 12.04.2013, http://kpm-ks.org/?mod=njoftimet&id=525&gjuha=1.