Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

“Komunikimi i Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm dhe duhet të ndërmerren nisma për bashkëpunimin e vazhdueshëm të studentëve, shtëpive mediale, shoqërisë civile dhe të rinjve nga organizatat politike, në mënyrë që të ndikohet në krijimin e një pasqyre më reale për “tjetrin” dhe për zhdukjen e stereotipeve dhe paragjykimeve. Kërkojmë nga institucionet që të krijojnë programe të shkëmbimit të të rinjve, të cilëve do t’iu mundësohet njohja me Kosovën, respektivisht Serbinë dhe në këtë mënyrë të njihen nga afër me jetën e bashkëmoshatarëve të tyre nga “ana tjetër”, ishin disa nga përfundimet e dala nga konferenca e të rinjve nga Kosova dhe Serbia “LinKS”, e cila u mbajt në Beçiq, nga data 4 deri më 6 mars.

Konferencën e cila po mbahej në prag të dialogut zyrtar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe e cila mblodhi mbi njëqind aktivistë të rinj nga shoqëria civile, anëtarë të partive politike dhe studentë, e kishte organizuar Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut nga Kosova dhe Serbia.

Gjatë bisedave iu kushtua një vëmendje e veçantë problemeve të bashkësive të pakicave nga Kosova dhe Serbia të cilët janë të margjinalizuar dhe shpesh të vendosur në qendër të konflikteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

U vunë në pah edhe problemet e Shqiptarëve nga jugu i Serbisë të cilëve nuk iu pranohen diplomat nga universitetet kosovare, si dhe pasojat afatgjate të një trajtimi të tillë ndaj të rinjve.

Qasja parimore e institucioneve përgjegjëse ndaj problemit të ballafaqimit më të kaluarën e luftës është vlerësuar si një ndër parakushtet themelore për krijimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet të rinjve, të cilët gjatë këtij takimi përkrahën themelimin e Komisionit Rajonal për gjetjen e fakteve të krimeve të luftës në territorin e ish RSFJ-së (REKOM).

Të rinjtë dëshmuan se dialogu konstruktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm, me biseda dinamike për përgjegjësinë e politikanëve, mediave, shoqërisë civile dhe të rinjve për ndërtimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe duke u shoqëruar gjatë pjesës joformale të konferencës.

Raportet më të detajuara mbi diskutimet mund ti lexoni në pjesën ‘Lajme‘ në ueb faqen e Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut.