Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Në përvjetorin e pestë të vrasjes së paligjshme dhe të padrejtë të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, ne, organizatat e poshtë nënshkruara, bëjmë thirrje për drejtësi nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe nga institucionet e Kosovës.

Në i bëjmë thirrje Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut (HRAP), që t’i përfundojë hetimet në lidhje me shkeljet serioze të të drejtave të njeriut në këto raste, sa më shpejt që është e mundur si dhe të rekomandojnë fillimin e hetimeve penale.

Përveç kësaj, bazuar në të gjitha informacionet të cilat tashmë janë grumbulluar për këto raste, i bëjmë thirrje EULEX-it që të fillojë hetimet penale në lidhje me këto vrasje të paligjshme dhe për lëndimet e shkaktuara ndaj protestuesve të tjerë. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit Publik që të bashkëpunojë me EULEX-in dhe të gjithë akterët tjerë ndërkombëtarë për të inicuar dhe për t’i shkuar deri në fund hetimeve penale.

Mungesa e hetimeve penale nga autoritetet kompetente në rastet kur ka jetë të humbura përmban në vetvete shkelje të të drejtave të njeriut dhe kjo duhet të adresohet. Përveç kësaj, familjet e këtyre viktimave vazhdojnë të vuajnë në mungesë të mekanizmave të cilët do duhej të ekzistonin për vendosjen efektive të drejtësisë.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë,
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (rrjet që avokon në emër të 84 organizatave të grave të të gjitha grupeve etnike nga gjithë Kosova) dhe
Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë