Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Aktivistët e Nisma Ime dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kanë shënuar 30 Gushtin, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, ku kanë kërkuar zbardhjen e fatit të 1837 personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë.

“Mohimi i të drejtës së familjarëve për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre është vazhdimësi e shkeljeve të rënda të të drejtave themelore të njeriut prandaj kërkojmë nga qeveritë në rajon që me vullnet të sinqertë të angazhohen dhe përkushtohen në ndriçimin e rrethanave të zhdukjes së të gjitha viktimave, zbulimin e vendeve në të cilat janë fshehur mbetjet mortore dhe dënimin e kryesve te krimeve” – u shpreh Besart Lumi nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Dita Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur u shënua me një aksion simbolik në qendër të qytetit të Prishtinës, ku aktivistët rrethuan pjesën qendrore të Sheshit Nëna Terezë me shirit me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, ndërkaq në zonën e rrethuar u vendosën një numër i madh i këpucëve të vjetra, në të cilat ishin vendosur pikëpyetje. Gjithashtu, qytetarët kanë pasur mundësi që të shënojnë komente dhe të shkruajnë në adresë të institucioneve përgjegjëse përmes një fletoreje të vendosur në vendin e aksionit.