Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina


Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit së saj. Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme për Nismën ishin përfaqësues të ambasadave, institucioneve, fondacioneve e shoqërisë civile dhe aktivistë.

Pasi që i përshëndeti të pranishmit dhe foli për punën e Nismës gjatë këtyre viteve, Drejtoresha Ekzekutive e Nismës në Kosovë, Raba Gjoshi ia dha fjalën Hajrulla Cekut i cili ndau me të pranishmit përvojën e tij me programin e vizitave dhe rëndësinë e zhvillimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal.

Në vazhdim u prezantua edhe programi Udhëtim në Evropë, te cilin Nisma këtë vit e organizoi për të katërtën herë me radhë. Ky program u jep mundësinë studentëve të viteve të fundit të Universiteteve të Kosovës që të udhëtojnë për një muaj dhe të shohin për së afërmi kulturat dhe vlerat Evropiane. Hana Sahatqija njëra nga pjesëmarrëset e këtij viti foli për rëndësinë e lëvizjes së lirë për të rinjtë dhe mundësinë që Nisma ua dha këtyre studentëve përmes programit Udhëtim në Evropë.

Në këto vite, Nisma ka qenë një ndër shtyllat më të forta të shoqërisë civile në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërm të Nismës në këtë fushë janë Civil Rights Defenders. Përmes një fjalimi të shkurtër, Petter Mossop foli për punën e Nismës dhe kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Në fund, Drejtoresha Ekzekutive e Nismës, Raba Gjoshi, prezantoi projektin më të ri të organizatës Shkollën për Lider te Rinj, projekt ky i cili synon të zhvilloj kapacitetet e të menduarit kritik tek gjeneratat e reja në lidhje me konceptet sociale, politike dhe kulturore; t’iu ofroj mundësinë studentëve që të marrin njohuri dhe të kuptojnë politikat demokratike dhe të zhvilloj aftësitë praktike të studentëve, të nevojshme për zbatimin e një programi progresiv në jetën profesionale apo në aktivitete tjera sociale.