Serbia | Croatia | Montenegro | Bosnia and Herzegovina

Më shumë se 40 studentë/e, të cilët/at kanë demonstruar potencial për lidership në sektorë të ndryshëm me ndikim si politikë, media, drejtësi dhe shoqëri civile, kanë përfunduar me sukses Shkollën për Lider të Rinj, organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Duke qenë pjesë e këtij programi, pjesëmarrësit/et e Shkollës patën rastin të:
– Familjarizohen me konceptet moderne të të drejtave të njeriut, sundimit të së drejtës dhe parimeve demokratike, si ndërlidhje të domosdoshme në ndërtimin e demokracisë dhe një shoqërie tolerante/paqësore;
– Zhvillojnë mendimin kritik lidhur me mundësitë kreative/praktike të qeverisjes së mirë dhe transparencës politike;
– Fuqizojnë njohuritë e tyre në fushën e drejtësisë tranzicionale;
– Marrin njohuri të nevojshme teorike mbi demokracinë e drejtpërdrejtë duke analizuar praktikat më të mira në botë;
– Kuptojnë kompleksitetin dhe pasojat e paragjykimeve, stereotipeve dhe diskriminimit në jetën shoqërore;
– Familjarizohen me konceptet e kombit, nacionalizmit dhe identitetit;
– Njihen me idenë dhe karakteristikat historike, politike dhe ekonomike të Bashkimit Evropian, sistemin e saj legjislativ dhe proceset politike të BE-së;
– Fuqizojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre të shkrimit akademik.

Po ashtu, përgjatë programit të Shkollës u organizua edhe një vizitë studimore rajonale dhe disa të tjera lokale, me qëllim që t’iu mundësohet studentëve të vizitojnë institucione dhe organizata të cilat merren me të drejtat e njeriut dhe aktivizmin qytetar, si dhe të vizitojnë parti politike që mbështesin vlerat qytetare. Vizitat studimore përfshinin diskutime me përfaqësues të institucioneve/OJQ-ve/partive politike dhe prezantimet e punës së tyre.

Në përfundim të programit, pothuajse të gjithë pjesëmarrësit e kanë vlerësuar Shkollën si një burim i cili iu ka ofruar atyre informacione dhe diskutime kritike lidhur me temat e ligjëruara, gjë të cilat nuk i marrin nga sistemi formal i edukimit. Ligjëruesit po ashtu e kanë vlerësuar Shkollës si mjaft të vlefshme dhe të rëndësishme për gjeneratën e re të liderëve, duke vërejtur në mënyrë të drejtpërdrejtë interesimin e vazhdueshëm të pjesëmarrësve për t’u përfshirë në diskutime.