Për të shënuar Ditën e Kushtetutës, mbajtëm aksion para Kuvendit të Kosovës me vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë pa dallim. Aktivizimi ynë nuk është thjesht simbolik; është një thirrje për veprim, një kërkesë për llogaridhënie dhe një deklaratë e përkushtimit tonë të palëkundur për drejtësi dhe barazi.
Ne sollëm 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës për 120 deputetë e deputete – jo si dhuratë e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputët e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbronë kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.
Ndërsa qëndruam në Kuvendin e Kosovës, ne nuk mund të injoronim realitetet e zymta me të cilat përballet shoqëria ynë. Diskriminimi, margjinalizimi dhe padrejtësitë sistematike vazhdojnë të jenë prevalente duke cenuar mirëqenien, dinjitetin dhe të drejtat e grupeve më të margjinalizuara të shoqërisë. Femicidi po vazhdon, dhuna në baza gjinore dhe seksuale po vazhdon, homofobia po vazhdon, padrejtësitë e panumërta janë perreth nesh, dhe shteti ynë po hesht, insitucionet tona bashkë me ata në krye po heshtin. Kushtetuta ynë po injorohet, përkundër faktit që qartë liston vlerat dhe të drejtat e secilit.
Eshtë edhe më tragjike të mendosh që kjo Kushtetutë po shkilet nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe deputetet që gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e kësaj Kushtetutës.
Prandaj, i bëjmë thirrje çdo deputeti e deputetje që të dëgjojë qartë thirrjen tonë, të respektojnë betimin e tyre në detyrë dhe të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut për të gjithë.
Dita e Kushtetutës nuk është vetëm një ditë festimi; është një ditë për kërkim të llogaridhënies, një ditë reflektimi dhe një ditë e vendosmërisë së përtërirë për të ndërtuar një të ardhme të barabartë për të gjithë. Do të sigurohemi që të ndjekim të gjitha masat ligjore në dispozion për të gjithë ata që ndërmarrin veprime anti-Kushtetuese.