Youth Initiative for Human Rights (YIHR) në Kosovë dhe Serbi janë duke përcjellur me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës pas ngjarjeve të fundit, të cilat kanë ardhur si rezultat i vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës rreth vendosjes së masës së reciprocitetit sa i përket dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Barrikadat në rrugë dhe veprimet e dhunshme kanë sjellë ngritjen e tensioneve ndëretnike, pasiguri dhe frikë në gjithë popullin.
YIHR bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë si dhe të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet të cilat mund të sjellin përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, si dhe që nxisin urrejtjen ndëretnike. Duke marrë parasysh retorikën rreth luftës në Ukrainë, shembujt e fundit të postimeve dhe deklaratave të zyrtarëve publikë që bëjnë thirrje për “denazifikimin e Ballkanit” janë të papranueshme. Veprime të tilla pengojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në vështirsimin e jetesës së përbashkët të grupeve etnike në këto shtete.
Ne bëjmë thirrje që kujdes të veçantë t’i kushtohet lajmeve të rreme rreth situatës në veri të Kosovë dhe që institucionet kompetente të angazhohen në luftimin e shpërndarjes së lajmeve të tilla të cilat janë kërcënim për të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, stabilitetin shoqëror dhe paqen. Lajmet e rreme janë të projektuara për të manipuluar perceptimet e njerëzve mbi realitetin, si pasojë ndikojnë në nxitjen dhe intensifikimin e konfliktit ndëretnik.
Në vend të përjetësimit të konfliktit ndëretnik, YIHR kërkon nga institucionet shtetërore të dy vendeve që të kenë kujdes të veçantë në qasjen e tyre ndaj situatës dhe të vendosin viktimat dhe të mbijetuarit e luftës në qendër të diskursit publik dhe politikbërjes në mënyrë që të mos pengohet procesi i ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimi i paqes. Gjithashtu, YIHR inkurajon vazhdimin e punës së institucioneve në sigurimin e lirisë së lëvizjes nëpërmjet heqjes së barrikadave në veri të Kosovës.
Prandaj, YIHR dënon aktet e tilla të dhunshme dhe diskursin konfliktuoz dhe inkurajon të dy qeveritë dhe shoqërinë që të përqendrohen në dialog dhe implementim paqësor të marrëveshjeve mes dy shteteve. Gjithsesi, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fokusohemi në ndërtimin e paqes, pajtimit dhe drejtësisë për viktimat dhe jo në nxitjen e urrejtjes ndëretnike.