Hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës

Jemi thellësisht të emocionuar për hapjen e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, një hapësirë alternative e kujtimit që flet për fëmijët dhe ndërprerjen e fëmijërisë së tyre në vorbullën e padrejtë të luftës në Kosovë.

Muzeu si i tillë vë theksin në përvojat e margjinalizuara të luftës si mënyrë për të kujtuar denjësisht të kaluarën dhe për të sjellë drejtësi simbolike duke njohur këto eksperienca. Pas 5 viteve punë të palodhshme, e hapëm Muzeun e Fëmijëve të Luftës, me ekspozitën e parë, “Loja e Ndërprerë” e cila na ktheu pas në jetën e fëmijëve që i mbijetuan luftës – na dërgoi te ikja, frika, fshehja, loja, dhe emocionet komplekse që vetëm lufta mund t’i sjell.

Kjo ekspozitë, e ky muze, mbi të gjitha është një homazh për të gjithë ata që përjetuan tmerret e luftës e ju mbijetuan atyre pavarësisht etnisë apo përkatësisë së tyre. Për ne si YIHR, ndarja e këtyre tregimeve ka një rëndësi të veçantë. Këto histori nuk janë vetëm të se kaluarës; ato janë edhe të së ardhmes tonë, sepse vetëm duke i njohur ato, mund të shmangim ripërsëritjen e tyre.

Ne synojmë që ky muze të jetë një hapësirë ku thyhet heshtja, ndërpritet harresa ndaj këtyre kujtimeve dhe bëhet thirrje e fuqishme për reflektim, drejtësi e pajtim.

Falenderime të veçanta shkojnë për ata që na nderuan me prezencën e tyre në hapje si dhe me kontributin e tyre në ekspozitë: artisti Petrit Halilaj dhe poetja Ervina Halili.

Faleminderit të gjithëve/ave që na u bashkuat. Muzeu do të jetë i hapur për publikun në vazhdimësi.

PreviousHRW 11 - Drag Show me Propaganda