Trajnimi me mësimdhënës të Edukatës Qytetare në kuadër të projektit “Human Rights Education Program” ka përfunduar me sukses!

Nga data 21 deri me 25 maj 2024, 21 arsimtarë të shkollave fillore dhe të mesme nga komunat e Vushtrrisë, Drenasit, Skenderajit, Lipjanit dhe Obliqit sapo përfunduan trajnimin 5-ditor mbi temat vitale të të drejtave të njeriut, sistemin e drejtësisë dhe qasjen në drejtësi. Këta edukatorë të përkushtuar patën mundësinë të zhyten në aspektet praktike të mësimdhënies së seksioneve ligjore për studentët e tyre dhe të mësojnë se si të hulumtojnë dhe të sjellin raste të jetës reale në klasë për diskutime.

Duke marrë pjesë në këtë trajnim interaktiv, këta profesorë fituan njohuri dhe aftësi për të ndihmuar studentët e tyre të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut. Ata mësuan se si t’i pajisin nxënësit e tyre me mjetet e nevojshme për të identifikuar dhe raportuar çdo shkelje të të drejtave të njeriut tek autoritetet përkatëse, si brenda shkollave të tyre ashtu edhe jashtë institucioneve. Po ashtu, mësimdhënësit paten mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi Agjensinë për Ndihmë Juridike Falas, ku dhe u takuan me zv. Drejtoren Ekzekutive të kësaj agjensie, znj. Flutura Berbati-Zena.

Trajnimi është dizajnuar në bazë të manualit “Programi për Edukimin për të Drejtat e Njeriut për të Rinjtë”, i cili është krijuar nga YIHR KS dhe i akredituar nga MASHTI. Duke u ofruar këtyre mësuesve këtë informacion të vlefshëm, ne po sigurojmë që gjenerata e ardhshme e kosovarëve të ketë një themel të fortë në edukimin për të drejtat e njeriut dhe të jetë i pajisur për të luftuar për të drejtat e tyre.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit the “Human Rights Education Program” që mbështetet nga GIZ Kosovo dhe implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS).

PreviousStorytelling për kultivimin e paqes dhe pajtimin! Next120 kopje të Kushtetutës së Kosovës për 120 deputetë