JAVA E TË DREJTAVE TË NJERIUT EDICIONI 12

Në kohë të pasigurve në demokraci, kujtojmë se drejtësia, llogaridhënia dhe të drejtat e njeriut varen nga guximi ynë kolektiv për të folur dhe për të vepruar. Tema e Javës së të Drejtave të Njeriut e këtij viti, demoKRIZA, reflekton trazirat aktuale politike në institucionet  e Kosovës dhe ndikimin e tyre në proceset demokratike dhe liritë e qytetarëve. Gjatë pesë ditëve, përmes një sërë aktivitetesh dinamike do të eksplorojmë se si paqëndrueshmëria politike, mungesa e llogaridhënies dhe sfidat sistemike ndikojnë të drejtat dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Përmes diskutimeve, aksioneve në rrugë dhe ngjarjeve kreative si ekspozitat, synojmë të forcojmë pjesëmarrjen qytetare, të kërkojmë transparencë dhe të theksojmë lidhjen jetike mes një demokracie funksionale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Duke bashkuar komunitetet dhe duke nxitur reflektim kritik, kyo edicion thekson se demokracia, llogaridhënia dhe drejtësia nuk janë ideale abstrakte — ato janë thelbësore për dinjitetin, barazinë dhe liritë e çdo individi.

Takim me OJQ-të për situatën e të drejtave të njeriut

E hënë, 8 dhjetor, ora 13:00, në Barabar Center, kati i 4-të – Grand Hotel, Prishtinë

Aktiviteti i parë i edicionit të 12-të të Javës së të Drejtave të Njeriut do të mbledhë së bashku një grup organizatash joqeveritare për një takim të fokusuar mbi gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në Kosovë. Pjesëmarrësit do të shkëmbejnë mendime rreth zhvillimeve të fundit, sfidave të reja dhe çështjeve të vazhdueshme që ndikojnë mbrojtjen e të drejtave themelore. Ky takim do të nxisë bashkëpunimin, do të forcojë rrjetëzimin dhe do të ofrojë një platformë për shoqërinë civile që së bashku të strategjizojë, të ndajë përvoja dhe të fuqizojë përpjekjet e saj avokuese. Duke bashkuar zëra nga i gjithë sektori, ky sesion vendos tonin për një javë të angazhuar dhe të orientuar drejt veprimit, kushtuar mbrojtjes së drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor.

*Ky aktivitet është i mbyllur për publikun.

Let’s Watch It

E martë, 9 dhjetor, 18:00, në Activism HUB

Në kuadër të Javës së të Drejtave të Njeriut, ne nuk po shohim vetëm një film, por po rikujtojmë një moment kur zëri i një njeriu u kthye në lëvizje. Në një kohë kur orientimi seksual përdorej si arsye për përjashtim, dhunë dhe heshtje, Harvey Milk vendosi të mos heshte. Jo sepse ishte më i fuqishëm, por sepse e kuptoi se heshtja është forma më e rrezikshme e nënshtrimit. Filmi “MILK” është histori për guximin, për një komunitet që refuzoi të fshihej e për mënyrën se si një zë i vetëm mund të ndezë mijëra të tjerë. Ky film na kujton se barazia nuk është privilegj  por e drejtë njerëzore universale.

Aksion rrugor “Dita e të Drejtave të Njeriut”
E mërkurë, 10 dhjetor, ora 12:00, Rr. Fehmi Agani

Këtë vit, rrugët e Prishtinës do të shndërrohen në një skenë veprimi dhe llogaridhënieje në ditën e tretë të Javës së të Drejtave të Njeriut. Nën sloganin e DemoKRIZA, do të dalim në rrugë për të theksuar se si paqëndrueshmëria politike ndikon në të drejtat, liritë dhe jetën tonë të përditshme. Në qendër të kësaj nisme qëndron një mural – një pasqyrim vizual i gjendjes aktuale të demokracisë sonë. Më shumë se një vepër arti, ai shërben si një deklaratë publike dhe thirrje për transparencë, drejtësi dhe përgjegjësi qytetare. Përmes kësaj ndërhyrjeje kreative, bëjmë të qartë një mesazh: qytetarët nuk do të heshtin ndërsa demokracia zbehet. Bashkohuni me ne ndërsa e rimarrim hapësirën publike, kërkojmë llogari dhe qëndrojmë së bashku për një Kosovë ku të drejtat, dinjiteti dhe pjesëmarrja janë të panegociueshme.

Ekspozita “Nuk do të rri në heshtje”

E mërkurë, 10 dhjetor, 19:00, në Qendrën Barabar, kati 4 – Grand Hotel, Prishtina 

“Nuk do të rri në Heshtje” është një ekspozitë që pasqyron luftërat e vazhdueshme me të cilat përballen njerëzit queer gjatë gjithë vitit,  luftërat e të qenit, të jetuarit në mënyrë autentike, të daljes hapur (coming out), dhe të ekzistencës së sigurt, qofshin të mbyllur, të hapur, apo diku në mes.

Krijuar për të shënuar çdo Ditë Kombëtare Queer, kjo ekspozitë synon të ofrojë hapësirë dhe dukshmëri për çdo identitet queer, duke nderuar historitë dhe realitetet e jetuara në të gjithë spektrin e gjerë të komunitetit tonë. Tregimet dhe përvojat tona kanë rëndësi. Ne meritojmë të dëgjohemi, pavarësisht nëse flasim për të kaluarën, të tashmen, apo të ardhmen që shpresojmë të ndërtojmë.

Ekspozita u ideua nga CEL Kosova në bashkëpunim me Zana Begollin, si fotografen dhe artisten, së bashku me Anyla Kabashin, e cila i bashkohet projektit si kuratore asistente.

Publikimi i Videos “Kosova 1989–1999”
E enjte, 11 dhjetor, ora 17:30, në Kino Armata

Në ditën e katërt të Javës së të Drejtave të Njeriut, ju ftojmë të gjithë në shfaqjen e videos sonë të animuar, e cila do të pasohet nga një diskutim me autorin dhe gazetarin Tim Judah dhe gazetarin Veton Surroi. Kjo video është një reflektim i fuqishëm artistik mbi luftën e fundit në Kosovë. Përmes rrëfimit vizual dhe metodik, ajo sjell historinë tonë kolektive dhe dhimbjen, kujtimet e përbashkëta dhe luftën e pandalur për drejtësi dhe të vërtetën. Animacioni bëhet mediumi ynë për të treguar histori dhe për ta humanizuar të kaluarën — për tregimet e heshtura që janë harruar në vorbullën e vuajtjes dhe trazirave.
Kjo shfaqje shërben jo vetëm si akt kujtese, por edhe si thirrje për llogaridhënie, empati dhe dhembshuri.

Çmimi “Aktivisti/ja i/e Vitit 2025”
E premte, 12 dhjetor, ora 20:00, në Menza Ramiz Sadiku

Për të përmbyllur Javën e të Drejtave të Njeriut të këtij viti, do të mblidhemi së bashku për të festuar përkushtimin e pandalshëm ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies. Gjatë kësaj mbrëmjeje do të ndahet Çmimi “Aktivisti/ja i/e Vitit 2025”, në shenjë vlerësimi për individë, grupe apo organizata që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në avancimin e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale në Kosovë. Kemi nderin që çmimin ta ndajë aktivistja dhe feministja franceze, znj. Shanley Clemot McLarnen. Kjo nuk është vetëm një natë vlerësimi, por edhe gëzimi, komuniteti dhe solidariteti. Do të kërcejmë, do të qeshim dhe do të nderojmë forcën shtytëse të aktivizmit që e mban të gjallë betejën tonë për drejtësi.

Ky edicion i Javës së të Drejtave të Njeriut është realizuar në bashkëpunim me CEL Kosova dhe mbështetet nga UNMIK, Ambasada Britanike në Prishtinë, Ambasada Franceze në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, SIDA dhe Këshilli i Evropës.

PreviousOpinioni i Avokatit të Popullit