I nderuar Rektor i Universitetit të Prishtinës, z. Qerim Qerimi,
Ne organizatat e poshtëshënuara po ju drejtohemi përmes kësaj letre të hapur për të kërkuar veprim të menjëhershëm nga ju si Rektor i Universitetit të Prishtinës për denoncimet e 27 studenteve të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmime seksuale nga profesori Xhevat Krasniqi.
Ne kërkojmë suspendim të menjehershëm të Xhevat Krasniqit deri në epilogun e rastit. Duhet të ketë zero tolerancë për raste kur profesorët ngacmojnë seksualisht studentët e tyre dhe aq më pak kur këta profesorë veçse janë ngacmues seksual të dëshmuar, siç është Xhevat Krasniqi, i suspenduar nga Universiteti i Gjakovës për vepra të njejta kriminale. Duke heshtur karshi këtij akti kriminal ju jeni duke bashkëpunuar me ngacmuesin dhe jeni duke amnistuar e nxitur krimet seksuale brenda Universitetit të Prishtinës.
Mjaft është mjaft, ne kërkojmë drejtësi dhe e kërkojmë atë menjëherë!
Nuk i tolerojmë ngacmimet seksuale të Xhevat Krasniqit. Aktet e tij të kundërligjshme nuk mund të normalizohen e as të minimizohen. Ngacmimi seksual nuk ka vend në Universitetin e Prishtinës. Mirëqenia e studentëve/eve duhet të prioritetizohet.
Ju bëjmë thirrje që si bartës i pozitës më të lartë brenda këtij institucioni të merrni përsipër zgjidhjen e këtij rasti dhe vendosjen e drejtësisë në UP në duart tuaja. Çdo gjë më pak do të ishte një tradhti ndaj besimit që ju është dhënë për ushtrimin e kësaj detyre dhe një dështim për të mbajtur lartë vlerat e integritetit dhe respektit brenda universitetit publik.
Heshtja nuk është opsion. Mosveprimi nga ana juaj është i papranueshëm!
Solidarizohuni me ne dhe kërkoni përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat e ngacmimeve seksuale. Ne nuk do ndalemi derisa Universiteti i Prishtinës të çlirohet nga epidemia e ngacmimit seksual.
Kërkojmë nga ju me mirëkuptim që të na mbani të informuar rreth rastit. Qëndrojmë në dispozicion për korrespodencë të mëtutjeshme.
Faleminderit për vëmendjen.
Organizatat mbështetëse: